Kurti e shkel ligjin për të zgjedhur sekretar të përgjithshëm të Qeverisë Arben Krasniqin|DOKUMENT
Sot në mbledhjen e qeverisë së Kosovës, u mor vendimi që në pozitën e sekretarit të përgjithshëm në Zyrën e Kryeministrit të vendoset, Arben Krasniqi.
Gazeta Infokus ka siguruar dokumente se si ky emërim është shkelje e rëndë e ligjit përderisa vlerësimi i kandidatëve është bërë 2 vite më parë konkretisht me datën 15.07.2022.
Si e shkeli Kurti ligjin për të emëruar Krasniqin sekretar të përgjithshëm?Arben Krasniqi për dy vite ka qenë ushtrues detyre në pozitën që sot e mori edhe zyrtarisht si Sekretar i Përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit.Hulumtimi sjell në pah se ky emërim është bërë kundërligjshëm, duke thyer ligjin për Zyrtarët Publik të Republikës së Kosovës.
Sipas nenit 49 pikës 1 të Ligjit për Zyrtarët Publikë, kandidati fitues duhet të vijë në krye të detyrës në një periudhë prej 30 ditësh pasi është bërë vlerësimi nga komisioni. Mirëpo kjo nuk ndodhi edhe në rastin e Arben Krasniqit.
Ligji për Zyrtarët Publikë e thotë qartë në pjesën ku është përcaktuar mekanizmi zhbllokues që nëse nuk ka përzgjedhje nga mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë brenda afatit të caktuar, atëherë në këtë rast automatikisht konsiderohet i emëruar në detyrë kandidati me pikët më të larta.
E në këtë rast pikët më të larta i kishte Lulzim Beqiri i cili edhe prin listën me më së shumti pikë.
Edhe me ligjin e vitit 2019, për zyrtarët publikë, sërish ky emërim është në kundërshtim me ligjin.
Madje me ligjin e vjetër kandidati duhej të emërohej në këtë pozitë vetëm 10 ditë pas vlerësimit nga komisioni vlerësues.
Në lidhje me këtë emërim sot kanë reaguar edhe organizata të Shoqërisë Civile të cilët me urgjencë kanë kërkuar anulimin e këtij emërimi.
Inicativa CorrWatch ka konstatuar po ashtu se emërimi i Arben Krasniqit si sekretar në Zyrën e Kryeministrit, është në kundërshtim me ligjin.
Sipas tyre emërimi i Sekretarit të Përgjithshëm të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës përbën shkelje ligjore dhe vendimi për emërim duhet të anulohet sepse i njëjti nuk ka ndjekur kushtet dhe procedurën ligjore.
Ata kanë konsideruar se fakti i stërzgjatjes së procesit të emërimit ka dëmtuar efikasitetin e procedurës së rekrutimit.
CorrWatch vlerëson se emërimi i Sekretarit të Zyrës së Kryeministrit është në kundërshtim me ligjin dhe si i tillë, vendimi duhet të anulohet pasi përbën shkelje të qartë të dispozitave ligjore.
“CorrWatch i bën thirrje Qeverisë që të reflektojnë mbi këtë proces dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm për anulimin e këtij vendimi. Ky vendim përveç se bie ndesh me dispozitat ligjore, dëmton integritetin e institucioneve publike në këtë rast Zyrën e Kryeministrit si dhe në përgjithsi proceset e rekrutimit të pozitave të larta is dhe mund të shërbej si precedent i keq edhe në institucionet tjera”, thuhet në reagimin e tyre.