Abdixhiku takohet me ambasadorin zviceran, flasin për zgjedhjet e 9 shkurtit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur në Selinë Qendrore ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher.
Në këtë takim kryetari Abdixhiku dhe ambasadori Sprecher, diskutuan për zhvillimet politike në vend, me theks të veçantë për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Kryetari Abdixhiku, e njoftoi ambasadorin Jürg Sprecher lidhur me përgatitjet e LDK-së rreth zgjedhjeve, duke theksuar angazhimin e LDK-së për të realizuar programin politik “Rruga e Re”, i cili përmban projekte konkrete që synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.
U diskutua edhe për rrugëtimin e “Turneut të Ndryshimit”, si dhe mbështetjen e jashtëzakonshme qytetare që po merr ky turne anë e kënd Kosovës, si përgjigjje ndaj thirrjes tonë për ndryshim.
Në fund të takimit, u fol edhe për projekte që synojnë thellimin e bashkëpunimit mes të dyja vendeve, ndërsa kryetari Abdixhiku falënderoi ambasadorin Sprecher për mbështetjen që Zvicra i ka dhënë në vazhdimësi Kosovës, në proceset demokratike dhe zhvilimore të saj.