“Nuk më ka bërë dhuratë Ministria”- Këshilltari i Pecit flet pasi mori grantin 100 mijë eurosh
Pas raportimit të Periskopit që gjeti se edhe këshilltari i Faton Pecit, Naim Huruglica kishte marrë grant për projektin 100 mijë eurosh, ka folur për këtë vetë Huruglica.
Këshilltari i Pecit deklaroi në ATV tha se ka aplikuar në mënyrë të rregullt, por as nuk e pohoi as nuk e mohoi që u favorizua nga ministri i Bujqësisë
“Nuk është fjala për para të thata qysh njerëzit e kuptojnë, nuk është fjala për dhuratë që t’i jep dikush 100 mijë euro,” tha Huruglica, duke shtuar se bëhet fjalë për një bashkëinvestim ku fermerët kontribuojnë një pjesë të investimit të tyre.
Ai shtoi se për të përfituar nga ky program, aplikantët duhet të vërtetojnë se janë të angazhuar në aktivitete bujqësore, si individë ose si subjekte juridike.
“Kam një biznes bashkë me një partner tjetër dhe disa partnerë austriakë, një biznes bujqësor ku ne i kemi mbjellë fruta të mollës, dardhës dhe Qershisë qysh në vitin 2014, para 10 vitesh edhe kemi apliku për me e përfitu një ndihmë shtetërore, e quaj përfitim në kuptimin se është një bashke investim ku Qeveria për çdo vit ndan një shumë të mjeteve për çdo fermer i cili i plotëson kriteret e caktuara”, tha ai.