Kearns-Vuçiqit: Mohimi, vazhdimësi e krimeve – çka nisi me vrasje po vazhdon me falsifikim të historisë
Deputetja britanike Alicia Kearns ka reaguar ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për deklaratat e tij të dhëna në një intervistë për “Hard Talk” të BBC-së.
Kearns ka thënë se Vuçiqi po e mohon luftën e Serbisë në Ballkan dhe se ky mohim është sulm i qëllimshëm dhe i kalkuluar ndaj të mbijetuarve.
“Mohimi është një sulm i qëllimshëm dhe i llogaritur ndaj të mbijetuarve. Është armë që kërkon të lëndojë njerëzit dhe institucionet që kanë dalë nga hiri i luftës”, ka shkruar Kearns në platformën “X”, derisa ka ndarë një pjesë të intervistës së Vuçiqit.
Ajo tutje ka thënë se mohimi i krimeve tregohet përmes falsifikimit të historisë.
“Mohimi është vazhdimësi e vetë krimeve – ajo që fillon me dhunë dhe vrasje vazhdon përmes falsifikimit të historisë”, ka thënë ajo.
Gjatë intervistës, Vuçiqi është pyetur se a ka ndryshuar vizioni për “Serbinë e Madhe” që para disa dekadash çoi në “luftë, humbje të tmerrshme jetësh e krime lufte”. Ai u përgjigj duke thënë se nuk pajtohet për atë se kush ka qenë fajtor dhe përgjegjës për gjërat e këqija që kanë ndodhur.
“Nuk pajtohem se kush ishte fajtor dhe kush ishte përgjegjës”, ka thënë ai.