Kështu do të organizohet votimi për votuesit s’mund të dalin nga shtëpitë, nëpër spitale, burgje dhe për të verbrit

Kështu do të organizohet votimi për votuesit s’mund të dalin nga shtëpitë, nëpër spitale, burgje dhe për të verbrit

Qindra ekipe mobile do të formohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) me qëllimin e vetëm që më 9 shkurt 2025 t’iu mundësohet votimi personave me nevoja dhe rrethana të veçanta, të cilët në ditën e zgjedhjeve nuk mund të shkojnë në vendvotim.

Në programin e votimit të personave me nevoja dhe rrethana të veçanta përfshihen qytetarët me sëmundje apo aftësi të kufizuar që nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre, personat në spitale, personat e moshuar në shtëpitë e caktuara për të moshuarit, të burgosurit në burgje dhe të paraburgosurit në qendrat e paraburgimit, personat në strehimore për mbrojtjen e viktimave dhe personat nën arrest shtëpiak.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar se ky institucion do të krijojë ekipe mobile në çdo komunë, të cilët në ditën e zgjedhjeve shkojnë nga njëra adresë në tjetrën, për t’iu mundësuar votimin e këtyre kategorive të ndryshme votuesish.

“Votuesit me nevoja dhe rrethana të veçanta ndahen në tri kategori kryesore. Në kategorinë e parë përfshihen votuesit me sëmundje apo aftësi të kufizuar për shkak të së cilës nuk mund të dalin nga shtëpia. Regjistrimi i tyre fillon më 4 janar dhe përmbyllet më 5 shkurt 2025. Në kategorinë e dytë përfshihen votuesit që ndodhen në institucione të ndryshme, siç janë spitalet, shtëpitë për të moshuarit, strehimoret për mbrojtje e viktimave, burgjet, qendrat e paraburgimit. Regjistrimi i tyre bëhet në bashkëpunim me institucionet përkatëse nga 30 janari deri më 5 shkurt 2025. Të njëjtit mund të regjistrohen edhe individualisht përmes platformës elektronike të KQZ-së (http://qv.kqz-ks.org). Dhe, në kategorinë e tretë, përfshihen votuesit në rrethana të veçanta, të cilët nuk mund të shkojnë në vendvotim për shkaqe sigurie dhe votuesit që janë në arrest shtëpiak. Evidentimi i votuesve në arrest shtëpiak bëhet në bashkëpunim me institucionet përkatëse duke filluar nga 30 janari deri më 5 shkurt 2025”, tha Elezi.

Përveç mundësimit të votimit nga shtëpitë e tyre të këtyre tri kategorive votuesish, Elezi tha se KQZ do të vazhdojë të përkujdeset edhe për një kategori tjetër votuesish.

Ai bëri të ditur se KQZ-ja do të vazhdojë të krijojë kushtet për votim në vendvotime për personat e verbër dhe me të pamur të dobësuar.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është ndër institucionet e rralla në botë që mundëson votimin e personave të verbër dhe me të pamur të dobësuar në mënyrë krejtësisht të pavarur dhe duke ruajtur fshehtësinë e votës. Kjo bëhet e mundur që nga viti 2009, qoftë në Zgjedhje Lokale apo ato për Kuvendin e Kosovës. Për çdo proces zgjedhor, pasi të miratohet dizajni dhe përmbajtja e fletëvotimit me subjektet garuese, KQZ shtypë shabllonët në shkrimin e Brailit, të cilët i dërgon në çdo Qendër Votimi. Këta shabllon në shkrimin e Brailit, janë lehtësisht të përdorshëm dhe shërbejnë për të vendosur fletëvotimin”, tha Elezi. /EO

Shpërndaje në: