Rutte-Erdoganit: Kontributi i trupave turke, kyç në ruajtjen e sigurisë në Kosovë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka lavdëruar komandën turke të misionit KFOR në Kosovë, duke i thënë presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, se kontributi i këtyre trupave është kyç në ruajtjen e sigurisë në Kosovë.
Deklarata u bë publike në një komunikatë për media nga NATO-ja të hënën kur Rutte vizitoi Turqinë.
“Rutte po ashtu e uroi Turqinë për përmbylljen e suksesshme të komandës së misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, duke thënë se ‘kontributi juaj i vazhdueshëm me trupa është kyç në ruajtjen e ambientit të sigurt për të gjithë në Kosovë”, thuhet në komunikatë.
Rutte ka lavdëruar Turqinë për kontributin në Aleancën veriatlantike duke theksuar se Turqia ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO dhe shpenzon më shumë se dy për qind të bruto prodhimit të brendshëm në mbrojtje.
Të dy kanë folur edhe për luftën në Ukrainë. Rutte ka lavdëruar Turqinë për përkrahjen e Ukrainës me municion, artileri dhe ndihma të tjera teksa ka thënë se luan rol kyç edhe në Marrëveshjet për Grurin dhe përpjekje tjera diplomatike.
Gjeneralmajori i Ushtrisë turke Ozkan Ulutash udhëhoqi misionin e KFOR-it deri më 11 tetor. Pas tij, detyrën e mori gjeneralmajori italiani Enrico Barduani./koha.net