Tahiri: Seanca për buxhetin ishte superskandaloze, u ngulfat debati me procedura antidemokratike
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar partinë në pushtet për seancën parlamentare, në të cilën është miratuar Ligji për Buxhetin.
Ai ka bërë me dije se kjo seancë ka qenë superskandaloze.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka vlerësuar se në seancën në fjalë është ngulfatur debati përmes procedurave antidemokratike.
“Ligji për Buxhetin që ka 738 faqe është një nga aktet më të rëndësishme legjislative. Deputetëve dhe organizatqve buxhetore ju kanë dhënë 41 orë kohë me trajtu një dokument 738 faqësh. Pra, refuzimi dhe ngulfatja e debatit për miratimin e tij përmes një procedure antidemokratike të kufizuar në më pak se 2 ditë, nxjerr në pah të paktën tri probleme të mëdha të këtij modeli të dështuar qeverisës të Kurtit dhe LVV-së. 1. Problemi i parë lidhet me injorancën dhe jokompetencën. Më konkretisht, Ligji për Buxhetin, si një ligj i përgjithshëm, dhe Ligji i Pagave, si një ligj i veçantë dhe organik, kanë raporte specifike mes tyre. Ndryshimet në një ligj të veçantë nuk mund të bëhen përmes një akti tjetër ligjor. Thënë ndryshe, ndryshimi i strukturës së koeficientëve nuk mund të bëhet me asnjë akt tjetër përveçse përmes një procesi të posaçëm të plotësim-ndryshimit që kërkon procedurë të veçantë”, ka shkruar ai duke përmendur problemin e dytë.
“2. Problemi i dytë lidhet me mungesën e transparencës dhe debatit. Si mund të trajtohet një ligj i tillë pa i dhënë publikut dhe taksapaguesve mundësinë për të kuptuar se si planifikohen të shpenzohen kontributet e tyre? A do të përdoren ato për paga, shërbime, projekte, zhvillim njerëzor, modernizim apo ndonjë fushë tjetër? Kjo qeveri, ky kryeministër dhe këta ministra trajtojnë paranë publike me të njëjtën qasje dhe logjikë sikur një kompani që vendos për financat e saj në një takim të bordit të aksionarëve. Madje, sot, kompanitë e etabluara nuk marrin vendime pa përfillur shqetësimet dhe kërkesat e palëve me interes”, është shprehur ai.
Sipas tij, Qeveria Kurti ka dështuar të gjeneroi rritje ekonomike.
“3. Problemi i tretë, që përmbledh të parin dhe të dytin, është se kjo qeveri ka dështuar të gjenerojë rritje ekonomike dhe zhvillim. Për më tepër, përballë skandaleve me korrupsion dhe keqpërdorime, qeveria kërkon që aty ku flitet për financa publike, të shuajë çdo zë kritik dhe të ndryshëm. Kjo është tirania e një modeli të delegjitimuar, i cili nuk ka asgjë tjetër për të ofruar përveç mjerimit social, ekonomik dhe politik”, ka shkruar Tahiri.