Zemaj: Po i keni 100 mijë euro me i nda për familjet e juaja, por jo edhe për muzeun e luftës së Lubeniqit
Në Kuvendin e Kosovës po diskutohet rreth projektbuxhetit për vitin 2025. Deputeti nga radhët e LDK’së, Armend Zemaj ka thënë se LDK nuk do ta votojë buxhetin për vitin 2025 sepse është anti kushtetuese.
Ndër të tjera ai deklaroi:
“Mendoj që kryeministri duhet të paraqitet në këtë seancë dhe të na thotë se nëse është qëllimi për të krijuar krizë financiare me buxhetin vjetor të RKS, duke krijuar precedentë të shkeljeve kushtetuese ndaj këtij projektligji, atëherë le të del ta deklarojë qëllimin e tij, i cili qëllim duhet të kundërshtohet nga të gjithë deputetët pa përjashtim.
Këtë po e them sepse dokumente bazë, edhe ato që vijnë nga zyra ligjore e Kuvendit që duhet të ishin parim thelëbsor i punës së Komisionit, në formulimin e asaj që quhet drejtësi juridike, brenda saj duhet të jetë shumë e qartë që të mos lejohet. LDK edhe përmes grupit parlamentar ju tregoi elementet bazë ku po shkelet ligji.
Kjo është thirrje e cila e mbron Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ju keni krijuar edhe precedentë të tjera. Nuk e keni lejuar ta ushtroni mandatin e lirë të deputetit, atë të cilën buron nga populli. Ju deputetët i keni shndërru në instrument të parapolitikës sepse e keni ndarë pozitë dhe opozitë. Nuk keni leju 4 vjet një amandament të një deputeti të dërgoj dicka një investim publik, qoftë nga zona apo interesi publik i atij vendi.
Por, nuk e kemi ditë deri sa është publiku që ju nga 100 mijë euro i keni nda për familjet e juaja. E nuk keni leju për 4 vjet rresht, 100 mijë euro me i nda për Muzeun e luftës ku ka ndodhë Masakra e Lubeniqit. Nuk keni leju buxhet për ujë të pijshëm në disa fshatra që ju mungon qytetarëve në vazhdimësi. Kjo sot duhet të ndalohet. Jo sepse është fundi i mandatit, por sepse është ligji më i rëndësishëm kalendarik i cili mbron taksat e qytetarëve. Ne si LDK nuk mundemi me u bë pjesë e kësaj”, deklaroi Zemaj i LDK.