Hamasi: Asnjë marrëveshje për lirimin e pengjeve
Udhëheqësi i Hamasit në Gazë, Khalil al-Hayya, tha në një intervistë për televizionin Al-Aqsa, të transmetuar të mërkurën, se nuk do të ketë marrëveshje me Izraelin për shkëmbimin e pengjeve me të burgosurit palestinezë, nëse nuk përfundon lufta në Gazë.
“Pa përfundimin e luftës, nuk mund të ketë shkëmbim të të burgosurve”, tha zoti Hayya në një intervistë për kanalin televiziv të grupit Al-Aqsa, duke përsëritur qëndrimin e grupit për dhënien fund të luftës.
“Nëse nuk përfundon agresioni, pse rezistenca dhe në veçanti Hamasi do t’i kthejë të burgosurit (pengjet)?”, tha ai. “Si do ta humbiste një i shëndoshë apo një i çmendur një kartë të fortë që zotëron ndërsa lufta po vazhdon?”
Zoti Hayya, i cili udhëhoqi ekipin negociator të grupit në bisedimet me ndërmjetësit nga Katari dhe Egjipti, fajësoi Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për mungesën e përparimeve. Zoti Netanyahu e mban përgjegjës grupin islamik për bisedimet e ngecura.
“Po vazhdojnë kontaktet me disa vende dhe ndërmjetës për të ringjallur negociatat. Jemi të gatshëm t’i vazhdojmë përpjekjet, por është më e rëndësishme të shohim një vullnet të vërtetë nga ana e okupatorit për t’i dhënë fund agresionit”, tha zoti Hayya. “Realiteti dëshmon se Netanyahu është ai që i minon negociatat”, shtoi ai.
Duke folur gjatë një vizite në Gazë të martën, Kryeministri Netanyahu tha se Hamasi nuk do ta sundojë enklavën palestineze pas përfundimit të luftës dhe se Izraeli i kishte shkatërruar aftësitë ushtarake të grupit islamik.
Zoti Netanyahu tha gjithashtu se Izraeli nuk kishte hequr dorë nga përpjekjet për të gjetur 101 pengjet e mbetura që besohej se ende ndodhen në Gazë, ndërsa ofroi një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për kthimin e secilit.
Hamasi dëshiron një marrëveshje që i jep fund luftës dhe rrjedhimisht shkëmbimin e pengjeve të mbajtura robër në Gazë me palestinezët e burgosur në Izrael. Kryeministri Netanyahu është zotuar se lufta mund të përfundojë vetëm pas çrrënjosjes së Hamasit. VOA