Haradinaj: Programi ynë parasheh pension të veçantë për artistët që i kanë shërbyer kulturës kombëtare për dekada
Kandidati për kryeministër nga AAK, Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në përvjetorin e karrierës së këngëtares, Shyhrete Behlulit.
Haradinaj tha se trashëgimia kulturore është themel i identitetit tonë kombëtar.
Ai po ashtu bëri të ditur se programi i tyre parasheh pension të veçantë për artistët që i kanë shërbyer kulturës kombëtare për dekada.
Postimi i plotë:
Trashëgimia jonë kulturore është themel i identitetit tonë kombëtar. Sot, duke nderuar 50 vjet karrierë të Shyhrete Behlulit, shohim qartë forcën e artit në ruajtjen e vlerave tona. Kjo është rruga që duhet ndjekur – investimi në kulturë, në identitet, në vlerat që na bëjnë krenarë.
Ne angazhohemi për një program kombëtar që do të sigurojë mbështetje të drejtpërdrejtë për artistët, themelimin e një fondi për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, dixhitalizimin e arkivave muzikore dhe mbështetjen e artistëve të rinj.
Kultura është pasuria jonë më e çmuar. Kur artistë si Shyhrete Behluli i kushtojnë tërë jetën ruajtjes së këngës shqipe, ne kemi detyrë të garantojmë që ky përkushtim të vlerësohet dhe të shpërblehet. Programi ynë parasheh pension të veçantë për artistët që i kanë shërbyer kulturës kombëtare për dekada.