Mbyllet ambasada e ShBA-së në Ukrainë, pritet sulm ajror i konsiderueshëm

Mbyllet ambasada e ShBA-së në Ukrainë, pritet sulm ajror i konsiderueshëm

Ambasada amerikane në Kiev të Ukrainës ka marrë informata për një sulm të mundshëm të konsiderueshëm të mërkurën dhe do të jetë e mbyllur, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Çështjeve Konsullore Shtetërore të ShBA-së.

“Për shkak të kujdesit të madh, ambasada do të jetë e mbyllur dhe punëtorët e ambasadës po udhëzohen që të qëndrojnë të strehuar në vend” – thuhet në deklaratën e këtij departamenti, që u publikua në uebfaqen e ambasadës amerikane në Kiev, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Ambasada e ShBA-së u rekomandon qytetarëve amerikanë që të jenë të përgatitur për t’u strehuar menjëherë në rast se njoftohet një alarm ajror” – thuhet më tej.

Paralajmërimi vjen një ditë pasi Ukraina përdori raketa amerikane të sistemit ATACMS për të sulmuar territor rus, duke e shfrytëzuar lejen e dhënë rishtazi nga presidenti amerikan në largim, në ditën e njëmijtë të luftës.

Rusia ka qenë duke e paralajmëruar me muaj Perëndimin se nëse Uashingtoni e lejon Ukrainën që të hedhë raketa amerikane, britanike dhe franceze thellë në Rusi, Moska do t’i konsiderojë këto anëtare të NATO-s si të përfshira drejtpërdrejt në luftën e Ukrainës.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha muajin e kaluar se Moska do t’u kundërpërgjigjej sulmeve të Ukrainës me armë të prodhimit amerikan thellë në Rusi, transmeton nacionale.

Të martën, Putini e uli pragun për kryerjen e një sulmi bërthamor nga Rusia si kundërpërgjigje ndaj një game më të gjerë të sulmeve konvencionale dhe rreziqet bërthamore po shtohen në kohën e tensioneve më të larta mes Rusisë e Perëndimit në më shumë se gjysmë shekulli.

Shpërndaje në: