“Nuk mund të mbaj unë përgjegjësi për shpenzimet e ish-gruas dhe ish-vjehrrës”, Meta mbrohet në Gjykatë

“Nuk mund të mbaj unë përgjegjësi për shpenzimet e ish-gruas dhe ish-vjehrrës”, Meta mbrohet në Gjykatë

Ndërsa sot pritet të caktohet masa e sigurisë ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ky i fundit ka postuar në rrjetet sociale mbrojtjen përpara Gjykatës së Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kreu i Partisë së Lirisë hedh poshtë akuzat dhe thotë se ky është një hetim skandaloz sipas tij, “i sponsorizuar nga Qeveria dhe McGonigalët”.

Ai hedh poshtë akuzat për çështjen Cez Dia dhe thotë se “kallëzuesi i përzgjedhur nga Qeveria dhe SPAK-u për të regjistruar këtë çështje mashtron, ose dëshmitari i përzgjedhur nga Qeveria dhe SPAK-u për të shpifur për personin tim gënjen”.

Sipas Metës ata gënjejnë kryesisht që të dy nga fillimi në fund për qëllime politike të regjimit dhe ekonomike të atyre vetë.

Lidhur me pretendimet për mosdeklarime të shpenzimeve, Meta i konsideron ato tërësisht tendencioze dhe ia kalon përgjegjësinë Kryemadhit.

“Së pari, nuk mund të mbaj unë përgjegjësi për çdo shpenzim apo pakësim llogarish të familjarëve të mi apo edhe të ish-gruas dhe ish-vjehrrës time. Së dyti, siç e kam shpjeguar në SPAK me plotësimin e formularëve të pasurisë merrej ish-bashkëshortja ime, e cila i ndiqte edhe me avokat edhe me noter të gjitha veprimet, edhe për arsyen se shumica e pronave dhe rrjedhimisht llogarive bankare ishin të saj dhe i ndiqte ajo”.

Ndërsa për lobimet Meta deklaron se distancohet “me neveri nga përpjekjet e qëllimshme të SPAK-ut, pa asnjë provë, për të më implikuar përmes hamendësimeve kur e ka patur të gjithë kohën për të paraqitur prova që më ngarkojnë mua me përgjegjësi penale. Përgjegjësia penale është individuale”.

Meta kërkon që “kjo sjellje paragjyqësore e deritanishme (nga SPAK-u dhe Policia) duhet të marrë fund dhe ky proces hetimi dhe gjykimi duhet të vendoset në shinat e procesit të rregullt ligjor në respekt të parimit të prezumimit të pafajësisë”.

Së fundmi ai kërkon nga gjykata që me vendimin e sotëm të respektojë Kushtetutën, Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, parimin e prezumimit të pafajësisë dhe një proces të rregullt ligjor për të ardhmen.

“Unë nuk kam asnjë pozitë, mundësi të prish provat, sepse prova as nuk ka përveç intervistave dhe hamendësimeve. Unë as e imagjinoj të arratisem dhe nëse ekziston ky shqetësim ju mund të vendosni të bllokoni pasaportën time. Por unë jam ish-President, gëzoj këtë status ende dhe juridikisht dhe President i Partisë së dytë opozitare në vend dhe Partia e tretë prej 20 vitesh.

Ndaj ju duhet të më lejoni në bazë edhe të përvojës amerikane të ushtroj detyrimet e mia ndaj atyre qytetarëve që më kanë zgjedhur mua të drejtoj dhe të cilët paguajnë taksa që ju të jepni drejtësi dhe jo afërmendsh të jeni nën diktatin e SPAK-ut, siç e ka deklaruar për gjykatat publikisht Z. Dumani.

Çdo vendim nën diktat jo vetëm do të rëndonte parregullsitë e këtij procesi por dhe minonte parimet e shtetit të së drejtës”.

Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta u arrestua me urdhër të SPAK më 21 tetor pranë Casa Italia-s në kryeqytet. Ai akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe refuzim të deklarimit të pasurisë.

Shpërndaje në: