Zbulohet një ‘mega’ grant i Pecit: Ministria e tij i jep grant 400 mijë euro kompanisë që bashkë me Konjufcën e promovuan
Vllazni, dajallar, këshilltar patën fatin të marrin grante prej 50 mijë e deri 100 mijë euro nga ministri Faton Peci. Ndërsa 400 mijë tjera u ndan për kompaninë “Fresco Excluzive”. Këtë fat për të fituar grant nga Ministria e Bujqësisë nuk e kishin Fahrije Hoti me gratë e Krushës, të cilave iu refuzua projekti për Kooperativën Bujqësore “Krusha”, shkruan Periskopi.
Iliriana Xhylani, Periskopi
Periskopi ka siguruar dokumentin që dëshmon se ministri Peci ka ndarë 400 mijë euro grant për kompaninë “Fresco Excluzive”, me pronare Arbnora Raif Cakaj.
Ministri Peci në maj të vitit 2023 kishte vizituar kompaninë “Fresco Group”, për të cilën kishte shkruar lavdatat goxha shumë.
“Agrobiznesi “Fresco Group” operon suksesshëm në tregun vendor, por edhe në tregjet e eksportit e deri tek shitja e produkteve finale, pasi që vepron si kompani edhe brenda rrjeteve të supermarketeve. Si rrjedhojë, kompania në fjalë e mbyll komplet zinxhirin e vlerës nga prodhimi deri tek shitja me pakicë, pra deri tek klienti i fundit”, pati shkruar Peci dy vite më parë në profilin e tij në Facebook.
Madje para katër muajsh kur kompania “Fresco Group” kishte hapur pikën e saj të re, kryeparlamentari Glauk Konjufca kishte promovuar këtë biznes dhe kishte qenë pjesëmarrës në hapjen e pikës së grumbullimit të pemëve dhe perimeve.
“Fresco Group më kë bërë një përshtypje të veçantë, është një shembull i shkëlqyer se si duhet të ndërtohet një kompani nga fillimi deri në fund dhe se si duhet ti arrijë sukseset e saja në mënyrë të ndershme. Të tilla kompani shohim edhe në vendet më të zhvilluara të Evropës, bujqësisë, pemtarisë, perimtarisë gjithmonë do të shkojë duke ju rritur vlera, dhe na duhet gjithmonë ti mbështesim sepse është e ardhmja e njerëzimit”, kishte deklaruar Konjuca mes tjerash.
Kujtojmë se ministri i Bujqësisë, Faton Peci dje doli me një video përmes të cilës sulmoj partitë opozitare dhe raportimet për skandalet me grante i quajti “lajme të rreme”.
“Ditëve të fundit kam qenë cak i sulmeve dhe shpifjeve, të drejtuara kryesisht nga LDK e PDK të shoqëruara mandej me lajmeve te rreme, lincimeve, e ofendimeve të sinkronizuara nga disa zhurmues që thirren në emër të qytetarëve dhe fjalës së lirë”, tha Peci.
Periskopi në vazhdimësi ka raportuar për skandalet në Ministrinë e Bujqësisë, pas të cilave ka pasur edhe reagime të shumta. /Periskopi