Vdes qytetari që u aksidentua në Prishtinë, IPK e arreston zyrtarin policor
Inspektorati Policor i Kosovës e ka arrestuar një zyrtar policor që ishte përfshirë në një aksident më 5 nëntor, nga i cili vdiq një person.
IPK njoftoi se hetuesit e arrestuan zyrtarin policor me dyshimin se e ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”.
“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve kanë arrestuar sot një zyrtar policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” në një aksident trafiku me veturë zyrtare. Aksidenti raportohet të ketë ndodhur më 05.11.2024 rreth orës 05:00 në kryqëzimin e rrugëve “Dëshmorët e Kombit” dhe “Henri Dunant” në Prishtinë. Në këtë aksident ishin përfshirë dy vetura, një veturë zyrtare e Policisë së Kosovës e modelit Skoda Octavia dhe një veturë private e modelit Skoda Karoq të cilën ka qenë duke e drejtuar një qytetar i Vushtrrisë”, njofton IPK.
“Si pasojë e këtij aksidenti dyshohet se lëndime të rënda trupore kishte pësuar vozitësi i veturës Skoda Karoq, i cili ishte dërguar për tretman mjekësor në QKUK – Prishtinë. Zyrtari policor i cili ishte duke drejtuar veturën zyrtare është suspenduar me rekomandim të IPK-së ditën e aksidentit. Dje në orët e pasdites IPK është njoftuar nga Policia e Kosovës se qytetari i lënduar si pasojë e këtij aksidenti fatkeqësisht ka ndërruar jetë kurse trupi i pa jetë i të ndjerit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e autopsisë”, thuhet më tej në njoftim.
Ndaj policit të arrestuar, prokurori e ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh.
“Në vazhdën e ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe sipas udhëzimeve të Prokurorit të Shtetit, sot nga IPK është arrestuar zyrtari policor më dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” dhe të njëjtit me aktvendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftim.