Nis mbledhja e përbashkët qeveritare Kosovë – Maqedoni e Veriut, pritet lidhja e marrëveshjeve për pikat kufitare
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut kaë nisur mbledhjen e përbashkët në Prishtinë.
Me nderimet më të larta shtetërore, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur homologun e tij maqedonas, Hristijan Mickoski, para mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.
Dy kryeministrat parakaluan para pjesëtarëve të Gardës të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët intonuan himnet shtetërore të dy vendeve.
Para mbledhjes zyrtare të qeverive, dy kryeministrat do të zhvillojnë një takim bilateral mes tyre.
Pas mbledhjes do të nënshkruhen marrëveshjet ndërmjet dy shteteve, për lidhjen e protokollit për zbatimin e marrëveshjes për Pikat e Përbashkëta të Kalimit Kufitar Hani i Elezit – Bllacë dhe Glloboqicë – Jazhincë dhe nismën për memorandum të mirëkuptimit në mes të dikastereve të ekonomisë së dy shteteve lidhur me sektorin e Energjisë.