Kosova luan sonte ndeshjen e fundit të Ligës së Kombeve, e pret në “Fadil Vokrri” Lituaninë

Kosova luan sonte ndeshjen e fundit të Ligës së Kombeve, e pret në “Fadil Vokrri” Lituaninë

Kombëtarja e Kosovës në futboll, sonte do të përballet me Lituaninë, në ‘Fadil Vokrri’ në ndeshjen e fundit të këtij cikli garash në Ligën e Kombeve.

Dardanët në duel me lituanezët vijnë pas ndeshjes së ndërprerë në Bukuresht kundër Rumanisë, për shkak të thirrjeve raciste kundër Kosovës ‘Serbia Serbia’, ‘Kosova është Serbi’, ndeshje për të cilën UEFA ende nuk ka marrë vendim.

Kombëtarja jonë mbrëmë ka zhvilluar seancën e fundit para duelit me Lituanin, ndeshje në të cilën skuadra jonë hynë ambicie për të marrë pikët maksimale.

Atmosfera mes lojtarëve është tejet pozitive dhe motivimi për ta mbyllur këtë vit me një fitore përpara tifozëve dardanë është maksimal.

Në këtë sfidë, përzgjedhësi Franco Foda nuk do të mund të llogarisë në dy lojtarë të rëndësishëm të repartit të mbrojtjes, kapitenin Amir Rrahmani dhe Lumbardh Dellovën, të cilët janë të pezulluar për shkak të kartonëve të verdhë.

Megjithatë, trajneri Foda në konferencën për media, ka siguruar se ekipi ka opsione të mjaftueshme për të mbushur boshllëkun dhe për të përballuar Lituaninë me sukses.

“Ekipi ka treguar lojë shumë të mirë në Rumani dhe jemi të rigjeneruar plotësisht. Edhe pas asaj ngjarjeje, kemi ruajtur vetëbesimin dhe do të jemi të gatshëm për lojën kundër Lituanisë. Kemi alternativa për repartin e mbrojtjes, si Aliti, Hoti dhe Krasniqi, të cilët janë të gatshëm të japin maksimumin”, ka thënë Foda.

Ndeshja Kosova-Lituania fillon në orën 20:45.

Shpërndaje në: