Kontrata Kolektive, Ibrahimi: Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere kundër komunave
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka kritikuar Komisioni Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Tranfere, i cili dje ka refuzuar kërkesën e AKK që të ndahet një vijë buxhetore për mbulimin e shpenzimeve që burojnë nga kontratat kolektive.
Ai ka vlerësuar se refuzimin i kësaj kërkese dëmton komunat e Kosovës.
Në një deklaratë për gazetën Nacionale, Ibrahimi ka thënë se deri më tani komunave iu janë marrë padrejtësisht mbi 125 milion euro.
“Komisioni për buxhet, punë dhe tranfere (KBPT) gjatë ditës së djeshme ka shqyrtuar kërkesën e Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) që në buxhetin e vitit 2025 të parashihet një vijë buxhetore për mbulimin e shpenzimeve që burojnë nga kontratat kolektive. Ky komision ka votur kundër kërkesës së AKK-së, pra kundër kërkesave të komunave që niveli qëndror të marë përgjegjësinë që të mbulojë shpenzimet financiare që burojnë nga kontratatat kolektive. Deri më tani komunave iu janë marë padrejtësisht mbi 125 milion euro. Po shihet qartë që niveli qëndror nuk ka vullnet ta zgjidh këtë çështje që është brengë e madhe për komunat. Edhe në vitin e ardhshëm komunat do të kenë shkurtime të projekteve në investime kapitale, mallra dhe shërbime, subvencione si pasojë e zbatimit të kontratave kolektive. Gjithashtu, gjatë këtij muaji dhe muajit të ardhshëm, komunat do të gjinden para një situate të pavolitshme për paga ndaj zyrtarëve komunal”, ka shkruar Ibrahimi.