Mehmeti: Faton Peci ka refuzuar projektin e Grave të Krushës, ka aprovuar projektin e vëllait të Fitore Pacollit
Gazetari Lirim Mehmeti ka kritikuar ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, për dhënien e granit prej afro 100 mijë euro për vëllain e deputetes Fitore Pacolli.
Ai ka bërë me dije se Ministria e Bujqësisë ia ka dhënë grantin vëllait të deputetes së pushteti dhe ka refuzuar projektin e Grave të Krushës, që kishin aplikuar me Kooperativën Bujqësore “Krusha”.
Në profilin e tij në “Facebook”, Mehmeti ka shkruar se një gjë e tillë është skandal.
“Faton Peci, i njohur si Faton Krimineli, që fatkeqësisht udhëheqë me Ministrinë e Bujqësisë në Kosovë, derisa ia ka ndarë 100 mijë euro Blerim Pacollit, vëllai të Fitore Pacollit, për një kompani që as nuk ekzistonte, në anën tjetër ia ka refuzuar projektin Farije Hotit, që aplikoi me Kooperativën Bujqësore “Krusha”. Se kush është Farije Hoti dhe gratë e Krushës e dinë të gjithë. Ato u shndërruan në shembull të rezistencës, sakrificës dhe triumfit të jetës pas masakrave nga forcat serbe, histori që u kthye edhe në një film të suksesshëm gjithandej botës”, ka shkruara ai, duke i publikuar dokumentet që tregojnë këtë gjë.
“Siç mund ta shihni më poshtë, për grant nga Ministria kishte aplikuar Farije Hoti me projektin “Blerja e Linjave të Makinerive për Përpunimin dhe Konservimin e Perimeve”. Ajo aplikoi me kompaninë e saj të suksesshme dhe të dëshmuar, derisa vëllai i deputetes Pacolli kishte aplikuar pa pasur firmë fare. Derisa atë pushteti e njofton me 14 qershor që ka fituar grantin, Farije Hotit i shkon njoftimi me 1 korrik, se i është refuzuar kërkesa. Kriminalitet të tillë, poshtërsi të këtij lloji, perversitet kësi fare, unë kurrë s’kam parë. Merrjau viktimave të luftës me kompani të suksesshme, e jepjau familjarëve të deputetëve të pushtetit pa kompani fare. Edhe sa do t’iu durojmë? Kur bëhet mjaft”, ka shkruar Mehmetaj.