Dyshime për dallavere në MPJD- Shpallin tender të ri për shërbimet postare derisa një tjetër e kanë ende të hapur

Dyshime për dallavere në MPJD- Shpallin tender të ri për shërbimet postare derisa një tjetër e kanë ende të hapur

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka shpallë tender të ri për shërbime postare diplomatike, 15 ditë pasi e kishte shpallë një emergjent, i cili është ende në procedurë të vlerësimit. Tenderi i dytë në vlerë prej 250 mijë eurosh është shpallur këto ditë ose rreth një muaj pasi kjo ministri ka shkëputur kontratën me operatorin “AL DUSHI SH.P.K”, për shkak se kishte dështuar t’i çojë me kohë dërgesat diplomatike. Aktualisht MPJD nuk kryen kurrëfarë shërbimi postar diplomatik.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës po përpiqet ta kthejë shërbimin e dërgesave diplomatike gati një muaj pasi ia ka shkëputur një operatori për shkak se kishte dështuar ta kryej punën.

Pas njoftimit për shkëputje të kontratës, MPJD e mbetur pa këtë shërbim kishte shpallur tender emergjent në vlerë prej 39 mijë euro. Statusi aktual i tij është ‘në vlerësim”.

Në këtë tender emergjent, ishin hequr fare kushtet për të dëshmuar realizimin e dërgesave në Evropë (Gjermani, Francë) brenda 24 orëve, në Azi nga 48 deri në 72 orë, Afrikë gjithashtu 48 deri në 72 orë dhe në SHBA e Kanada për 36 deri në 48 orë.

Paradoksalisht tani ka dy tenderë të shpallur këtë shërbimet postare, por dërgesat janë në paralizë.

Sidoqoftë, tenderi i ri i shpallur është në vlerë prej 250 mijë euro, ndërsa MPJ që drejtohet nga Donika Gërvalla e pranon se  ka kërkesa të shumta për pajisje me dokumente.

Në njoftimin për kontratë thuhet se ka kërkesa të shumta nga mërgimtarët për pajisje me dokumente të udhëtimit dhe se nevoja për këto shërbime është e madhe.

“Momentalisht jemi pa kontratë dhe nevoja për këto shërbime është e madhe. Kemi kërkesa të shumta për pajisje me dokumente të udhëtimit ku përmes kësaj lehtësohet lëvizja e qytetarëve tonë në theks të veçantë Diasporë”, thuhet në njoftim.

Në këtë njoftim për kontratë u kërkohen dëshmi operatorëve që mund t’i çojnë dërgesat në destinacione të caktuara në afate të sakta.

“Operatori Ekonomik pjesëmarrës duhet te dorëzoj dëshmi (AËB) ku dëshmohet qe për disa shtete te caktuara p.sh Evropë (Gjermania, Franca) ka bere realizimin e dërgesave për 24 orë, Azi (2 shtete) ka bere realizimin e dërgesave për 48-72 orë, Afrike (2 shtete) ka bere realizimin e dërgesave për 48-72 orë dhe SHBA & Kanada ka bere realizimin e dërgesave për 36-48 or, D.m.th. për çdo shtet nga 1(një) dëshmi” thuhet në kushtet e prezantuara aty.

Me këtë tender parashihen shërbimet diplomatike për Evropë, ShBA, Kanada, Australi, Azi dhe Afrikë.

Kontratën e fundit për këto shërbime, MPJD e ka pasur me kompaninë “AL DUSHI SH.P.K”, e cila s’ka arritur t’i përmbushë kushtet e kontratës. Kjo kompani – edhe pse kishte ofertuar edhe ishte përzgjedhur me çmim gati katërfish më të lartë – ka shkaktuar vonesa në bartjen e dërgesave e në disa raste dhe i ka dëmtuar ato.

Gazeta Express kishte siguruar vendimin e MPJD për ndërprerjen e kontratës ku thuhej se operatori “A.L DUSHI SH.P.K” (kontraktor i autorizuar i kompanisë multinacionale UPS),  nuk ka arritur t’i respektojë afatet kohore në bazë të specifikave të kontratës.

“Zakonisht kur ndërron operatori ekonomik, siç e kemi parë edhe në këtë rast, nganjëherë ai fillimi është pak më i ndërlikuar, mirëpo me aq sa jam unë e informuar kjo çështje është zgjidhur tashmë”, kishte thënë Gërvalla para se MPJ t’ia ndërpres kontratën.

Në vendimin e anulimit të kontratës të nxjerrë nga MPJD ( më saktësisht nga Kaltrina Dalipi U.D e Divizionit të Prokurimit që ka lidhje familjare me Luan Dalipin shef i stafit në Kabinetin e Kryeministrit Kurti), ishin theksuar vonesat në dërgimin e postës brenda afateve kohore, dëmtime të zarfeve.

Gjithashtu MPJD ka konfirmuar se mbi 400 pasaporta dhe mbi 100 letërnjoftime ene s’janë dërguar në adresat ku është dashur. Ndërkohë në media ka pasur raportime se pasaportat në fjalë kanë humbur.

Në tenderin emergjent që aktualisht është “vlerësim” ka aplikuar një kompani me çmim 865% më i lartë se ai të cilin e kishte ofruar kompania 3P – DHL Express (233.40 euro).

Këtë çmim Ministria e kishte shpallur si ofertë financiare “abnormalisht të ulët” dhe kompaninë si ofertues jo të rregullt. Për këtë çështje, 3P – DHL Express ishte ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit dhe ndërkohë MPJ ishte detyruar të shpallte tender emergjent.

Deri sa tenderi ishte në proces të OSHP‘së, MPJD kishte shpallur Tender Emergjent dhe Ministria e Punëve të Jashtme ia kishte dhënë kontratën po të njëjtës kompani (3P – DHL Express) me po të njëjtin çmim (233.40 euro).

Pra ne vlerësimin e dytë për tenderin emergjent, oferta e njëjtë (3P – DHL Express)  për MPJD nuk ishte konsideruar më “abnormalisht e Ulët”, pasi qe ishte në nguti ta zgjedhë një kompani që t‘i dërgonte pasaportat dhe dokumentet e bashkatdhetarëve të cilët ishin vonuar me muaj të tërë. Pra në këtë prokurim, MPJ kishte përdorur standarde të dyfishta të vlerësimit të ofertave.

Shpërndaje në: