MKRS e pranon se hoqi pishat te teatri: Rrënjët e tyre dëmtonin strukturën e ndërtesës
Ministria e Kulturës ka dhënë sqarim për drurin e larguar në afërsi të Teatrit Kombëtar të Kosovës.
“Ministria e Kulturës po bën investimin më të madh që është bërë ndonjëherë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, restaurimin e plotë dhe zgjërimin e hapësirave të tij.
Për hartimin e këtij projekti janë angazhuar profesorë nga gjashtë fakultete të Universitetit të Prishtinës ndërsa jemi pajisur me leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve.
Largimi i drurit në afërsi të teatrit ka qenë i paraparë në projekt për shkak që rrënjët e tij kanë qenë të mbështetura në muret e strukturës së ndërtesës, duke dëmtuar kështu strukturën dhe duke pamundësuar realizimin e punëve të drenazhimit, përforcimim e themeleve dhe vazhdimin e zbatimit të projektit. Po kujdesemi që projekti të zbatohet tërësisht, dhe punët të zhvillohen në mënyrën më profesionale. Natyrisht që druri i prerë do të zëvendësohet. Hapësirat e gjelbërimit janë të parapara dhe do të zbatohen në detaje.”, thuhet në sqarimin e ministrisë.