Ahmeti e quan eksperiment futjen e edukatës seksuale në shkolla
Kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti ka thënë se kjo komunë do të respektoj vendimin e marrë në takim me Këshillat e Prindërve të të gjitha shkollave, që doracakët e lëndës “Edukimi Seksual” të mos përdorën në shkollat e kësaj komune.
Ai tha se vendimi ka qenë unanim nga ana e të gjithëve në takim.
“Vendimi është marrë sot pas debatit që është ngritur për këto tekstet shkollore për ‘Edukimin Seksual’ dhe sot jemi bashkë. Ky është një reagim i gjithë Këshillave të Prindërve dhe drejtorëve të shkollave dhe natyrisht që mendohet që është i dëmshëm për shoqërinë tonë e i hershëm dhe në afatgjatë edhe degjeneruese. Ky është një konstatim i shumicës së Këshillave dhe ne jemi dakorduar që të mos përfshihet fare në lëndën zgjedhore në asnjë shkollë tonën dhe këto tekste shkollore nuk do të përdorën në Lipjan d”., tha Ahmeti.
Ahmeti tha se beson që në rrethanat e sodit është herët të provohen këto eksperimente, pasi sipas tij në shkolla duhet në plan afatgjatë përgatitja e opinionit, së pari me fushata të ndryshme edukuese që “do të mund ta senzibilizonin vlera të tilla që janë tepër të hershme për vendin tonë”.
“Ky është vendim i prerë, nuk ka të bëjë fare me reagim. Ka të bëjë me vendimin tonë për të bojkotuar tekste të tilla. Le të deklarohen zyrtarët si të duan. Ne e bëjmë publike që nga sot. Këto tekste shkollore nuk do të jenë as të pranishme në shkollat tona e lërë më të flasim për këto tekste”, deklaroi kryetari i Lipjanit.