Osmani takon komandantin e KFOR-it, i flet për rreziqet nga taktikat destabilizuese të Serbisë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mbrëmë ka takuar komandantin e KFOR-it, Gjeneralmajorin Enrico Barduani.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka bërë të ditur se me Barduanin janë takuar në një darkë pune, me ç’rast ka publikuar edhe disa fotografi.
“Me Komandantin e ri të KFOR-it, Gjeneralin Enrico Barduani, për një Kosovë ku mbretëron paqja e siguria për të gjithë qytetarët, në çdo cep të vendit tonë”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Ndërkaq, më shumë detaje për takimin janë bërë të ditura përmes një njoftimi të lëshuar nga Presidenca, ku thuhet se gjatë takimit është diskutuar për çështje të sigurisë në vend.
Sipas njoftimit, Osmani ka nënvizuar përkushtimin e vazhdueshëm për një Kosovë të sigurt dhe stabile, si parakusht për zhvillim e prosperitet, ndërsa ka rikonfirmuar rëndësinë e koordinimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, për çështje të sigurisë, me qëllim të mbrojtjes së të gjithë qytetarëve dhe sovranitetit të vendit.
“Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për KFOR-in, i cili ka shtuar numrin e trupave e të cilët po mbështesin institucionet e Kosovës në patrullim të kufirit me Serbinë.
Presidentja ripotencoi rreziqet që vijnë nga taktikat destabilizuese të Serbisë, sidomos për shkak të mungesës së dhënies së përgjegjësisë nga ana e Serbisë, si për aktin e agresionit të shtatorit 2023, ashtu edhe për sulmet ndaj KFOR-it, në maj 2023.
Ndër të tjera, në këtë takim, Presidentja Osmani dhe komandanti Barduani pohuan angazhimin e tyre të përbashkët për ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët, duke pranuar se bashkëpunimi dhe besimi i ndërsjellë janë bazë për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm“, shkruhet në komunikatën e Presidencës.