Në ‘krah’ të pareve të huaja, Kurti pren shiritin e objektit të ri të urgjencës në Llap

Në ‘krah’ të pareve të huaja, Kurti pren shiritin e objektit të ri të urgjencës në Llap

Podujeva është bërë me objekt të ri të Urgjencës falë bashkëpunimit të Komunës me Organizatën “Qatar Charity”.

Ky projekt ka kushtuar 1.7 milion euro, prej të cilave 600 mijë euro janë investuar nga Komuna e Podujevës, kurse 1.1 milion euro nga kjo organizatë.

I pranishëm në përurim ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti  dhe ministri Shëndetësisë, Arben Vitia.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky projekt nuk është i rëndësishëm vetëm për Podujevën, por edhe për bashkatdhetarët dhe qytetarët e Luginës, për shkak të afërsisë me pikën kufitare në Merdar.

“Është një projekt me rëndësi madhore për Podujevën. Urgjenca e Podujevës jo vetëm që do t’i shërbejë qytetarëve të saj, por edhe bashkatdhetarëve dhe qytetarëve të Luginës, pasi pika kufitare është shumë afër”, tha Kurti, teksa përmendi edhe projektet tjera që janë përkrahur nga “Qatar Charity”.

Kryeministri Kurti tha se punimet e këtij projekti u finalizuan brenda dy vitesh dhe se ky projekt është i dyti, pasi vitin e ardhshëm ai paralajmëroi se do të ndërtohet edhe Parku Bujqësor në këtë komunë.

“Edhe më herët ka pasur projekte nga organizatat joqeveritare, ndërkaq vitin 2021 janë ndërtuar projekte qindra miliona euro. Mbështetjet nga ‘Qatar Charity janë të llojllojshme, andaj unë po i përmendi disa prej tyre. Është mbështetja për bonjakët, për familjet me ndihma sociale, pagesat për energji elektrike për mbi 600 familje për një vit, shpërndarjen e granteve bujqësore në Mitrovicë, pastaj projektet në shëndetësi”, u shpreh Kurti.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se ky objekt është ndërtuar në bashkëpunim në mes të kësaj komune dhe Organizatës “Qatar Charity”, ku 600 mijë euro janë investuar nga Komuna, kurse 1.1 milion euro nga kjo organizatë.

“Ky projekt i realizuar në bashkëpunim me ‘Qatar Charity’, kap shifrën e 1.7 milion euro, ku 600 mijë euro janë investuar nga Komuna, kurse 1.1 milion euro nga kjo organizatë. Ky investim dëshmon përkushtimin tonë për të sjellë shërbime të shpejta dhe cilësore për qytetaret tanë të Podujevës. Ky objekt nuk është thjesht ndërtesë e re, por se në çdo rrethanë do t’i marrin shërbimet. Shërbimet në këtë ndërtesë zyrtarisht do të fillohet t’i marrin nga data 2 dhjetor”, u shpreh Bulliqi.

Shpërndaje në: