Flasin nga Prokuroria për largimin e zyrtarit të përgjimeve në Telekom nga grupi i Hanës
Ekrem Cervadiku në fund të gushtit të këtij viti u largua nga një pozitë e rëndësishme në ndërmarrjen publike Telekomi i Kosovës nga grupi i kryeshefes ekzekutive, Burbuqe Hana. Kryesori i Departamentit të Burimeve Njerëzore dyshohej për keqpërdorim të detyrës dhe rrezik të dorëzimit të dokumentacionit.
Cervadiku dhe kryeshefja ishin miq të mirë mes vete. Gazeta Insajderi kishte raportuar në vitin 2023, se si Burbuqe Hana e kishte shpërblyer mikun e saj, Cveradikun, me pozitë në Telekom.
Nën udhëheqësinë e Hanës, Cervadiku ishte ngritur për pesë grada – pra nga zyrtari i Mbrojtjes së Informacioneve në Telekom në pozitën kryesore të burimeve njerëzore.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar Prokurorinë Themelore të Prishtinës për ta pyetur për rastin e tij, mirëpo nga Prokuroria kanë bërë të ditur vetëm se kanë autorizuar Policinë e Kosovës në grumbullimin e të dhënave.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, ju njoftojnë se Prokurori i Shtetit ka lëshuar autorizim Policisë së Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve-grumbullimin e informative. Tani për tani nuk mund të japim më shumë informacione për shkak të ndjeshmërisë së rastit”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë drejtuar Insajderit.
Mediat kanë raportuar në fund të gushtit për largimin e Cervadikut nga pozita dhe pas lirimit, kërkesën e kryeshefes ekzekutive që ta marrë qasjen në dokumentet e përgjimeve.
Në fushën ku ishte zyrtar Cervadiku ishin ndërmarrë edhe veprime kundër-ligjore. Në Telekom ishte instaluar pajisja e regjistrimit të punonjësve me të dhëna biometrike. Për këtë, iu kishte tërhequr vërejtja nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, duke kërkuar që të hiqen menjëherë dhe të shkatërrohen të dhënat e marra të punëtorëve.