Federata e Taekwondos së Kosovës dhe KOK-u: Raste të tilla që njollosin sportin e Kosovës, të jenë të fundit
Federata e Taekwondos e Kosovës të martën ka reaguar për incidentin që ndodhi të dielën paradite në Tiranë.
FTWK ka njoftuar për dënimin gjashtëmujor të trajnerit nga Federata Evropiane e Taekwondos. Kjo u bë e ditur të hënën nga federata evropiane.
“Duke punuar dhe shpresuar që raste si ky dhe raste tjera të ngjashme të mos përsëriten më, FTWK dënon ashpër veprime të tilla dhe zotohet se gjithmonë do të marrë masa ndaj këtyre dukurive”, ka shkruar federata kosovare e taekwondos.
Menjëherë pas federatës është deklaruar edhe Komiteti Olimpik i Kosovës, që po ashtu nuk ishte prononcuar të hënën.
“KOK-u duke vlerësuar rastin si të ndjeshëm, fillimisht ka zhvilluar takime me drejtuesit e federatës, në mënyrë që të marrë të gjitha informatat e nevojshme në lidhje me incidentin. KOK-u përkrahë FTK-në në lidhje me vendimin për suspendim të trajnerit dhe njëherit dënon incidentin e ndodhur, me shpresën dhe besimin se raste të tilla, të cilat njollosin sportin e Kosovës, të jenë të fundit”, përfundon reagimi nga Komiteti Olimpik i Kosovës.
Ndryshe, trajneri kosovar Valmir Fetiu ka goditur me shuplakë garuesen dhe vajzën e tij 8-vjeçare. Federata ka refuzuar të deklarohet të dielën e të hënën, ndërsa lëshoi një komunikatë për rastin të martën pasdite.