Dardanët, të motivuar për të fituar në Rumani
Kombëtarja e Kosovës po i vazhdon përgatitjet për ndeshjen me Rumaninë, e cila do të jetë edhe përcaktuese për vendin e parë në Grupin 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve.
Dardanët kanë ushtruar sot në Kampin Nacional në Hajvali, ndërsa dje i nisën përgatitjet për ndeshjet e nëntorit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Trupa e Franco Fodës është e motivuar dhe optimiste se do të dalë mirë nga ndeshja që do ta zhvillojë këtë të premte në Bukuresht, shkruan “Gazeta Express”.
Kosova vjen nga tri fitore radhazi, të cilat e pasuan humbjen e rëndë që e kishte pësuar pikërisht nga rumunët në shtëpi në muajin shtator.
Për dallim prej dje, kur ushtruan vetëm disa futbollistë, sot ekipi ishte më i pasur me lojtarë.
Futbollisti ofanziv, Zymer Bytyqi thotë se motivi tek Dardanët është i lartë, ndërsa shton se ai me shokë do të mundohen ta vazhdojnë serinë pozitive.
Ai gëzohet që u rikthye tek Kosova dhe është i gatshëm ta japë kontributin e tij nëse i jepet rasti.
Futbollisti i CSKA Sofjes uron që Verdhekaltrit ta regjistrojnë një fitore që do t’ju ndihmojë që ta marrin primatin në grup.