Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë vjen në Kosovë, pritet nga Hoxha
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka pritur sot në takim homologun e tij nga Shqipëria, Ilir Prodën.
Me anë të një njoftimi në Facebook të policisë së Kosovës, bëhet e ditur takimi është mbajtur në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të PK-së.
“Në takimin i cili u realizua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të PK-së, drejtori Hoxha fillimisht ka falënderuar drejtorin Proda për vizitën e tij dhe njëkohësisht ia ka uruar të njëjtit detyrën e tij në krye të Policisë së Shtetit”.
“Drejtori Hoxha i njoftoi të pranishmit mbi angazhimet, aktivitetet dhe objektivat e Policisë së Kosovës, si dhe përkushtimin e vazhdueshëm në përmbushjen e detyrave dhe obligimeve të saja ligjore në të mirë të sigurisë dhe rendit kushtetues në Republikën e Kosovës”, thuhet në postim.
Përveç tjerash të pranishmit u njoftuan se Policia e Kosovës ka kapacitete profesionale dhe është e përgatitur që të ofrojë siguri, të luftojë kundër krimit të organizuar si dhe të bashkëpunojë ngushtë me organizatat policore, me qëllim të avancimit të mëtejmë të bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e sigurisë dhe parandalimit të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
“Gjithashtu është veçuar se Policia e Kosovës ka bashkëpunim të shkëlqyer me autoritetet policore të Shqipërisë, bashkëpunim ky i cili ka treguar rezultate pozitive në fusha të ndryshme, duke përfshirë edhe sukseset në patrullimet e përbashkëta policore dhe luftën ndaj dukurive negative”.
“Në anën tjetër, drejtori Proda falënderoi drejtorin Hoxha për mikpritjen dhe njëherësh potencoi se Policia e Shqipërisë do të jetë çdo herë e gatshme në realizimin e synimeve të të dy policive, si në fushën e trajnimeve po ashtu edhe të luftës ndaj krimit, përfshirë atë transkufitar. Takimi u përmbyll me zotimin e dy përfaqësuesve kryesorë të dy institucioneve simotra, për rritje të mëtejmë të bashkëpunimit në të ardhmen, duke u zgjeruar edhe në fusha të reja me interes të përbashkët”, thuhet më tej në njoftim.