Prokuroria jep detaje-Ndalohet i dyshuari për therjen e katër personave mbrëmë, kishte qenë i dënuar edhe më parë për vrasje
Një person theri me thikë katër persona mbrëmë në Ferizaj.
Derisa dje u raportua se i dyshuari për këtë vepër ishte Ekrem Sadiku, sot ka dal të mos jetë ai, por i dyshuari për këtë vepër të jetë Fadil Islami.
I dyshuari me inicialet F.I, dyshohet se pak kohë më parë ishte liruar nga burgu për një vrasje të rëndë.
Në një prononcim për lajmi.net zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Vjosa Baftiu ka konfirmuar se tashmë i dyshuari kyç në lidhje me therjen e katër personave që ndodhi mbrëmë në Ferizaj është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë.
“Si fillim është ndaluar një person tjetër i cili u raportua në media E.S, i njëjti i është përshtatur profilit të të dyshuarit . E kanë shiku atë, i kanë sh iku kamerat, veshjen gjithçka është përshtat me të kërkuarin dhe me ngjarjen. Pra kanë qenë dyshimet e para se ai ka kryer këtë vepër penale, por më vonë është ndaluar një tjetër person që në fakt ka rezultuar që tashmë është i dyshuari kryesor në këtë rast”, deklaroi Baftiu.
Po ashtu ajo sqaroi se personi i parë i arrestuar është liruar me vendim të prokurorit.
“Pra ndalimi i tij është bërë për shkak se të dhënat i janë përshtatur profilit të të kërkuarit. Por për detaje të tjera besoj do të sqarohet Policia e Kosovës”.
I arrestuari tashmë si i dyshuari kryesor është F.I, i lindur më 1962.
Duhet theksuar se i njëjti kishte qenë edhe më herët në burg, nën akuzimin për veprën penale “Vrasje e rëndë”.
“Në të kaluarën kriminale ai ka qenë i dënuar për veprën penale vrasje”,shtoi ajo.
Po ashtu u theksua se tani i njëjti ngarkohet me veprën penale “Vraje e rëndë në tentativë”.
Prokurori i rastit në Ferizaj gjatë ditës do të dorëzojë kërkesën për parashtrimin e paraburgimit në kuadër të gjykatës.
Ndërkaq një 10-vjeçare dhe një 29-vjeçare, që u theren me thikë ditën e hënë në Ferizaj, po vazhdojnë trajtimin në Mjekimin Intensiv të QKUK-së. Dy të lënduarit e tjerë nga ky rast raportohet që gjendjen shëndetësore e kanë më të mirë dhe njëri prej tyre veçse është liruar nga mjekimi.