Raportohet se Trump do të emërojë Marco Rubion si sekretar Shteti

Raportohet se Trump do të emërojë Marco Rubion si sekretar Shteti

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, pritet të emërojë senatorin e Floridas, Marco Rubio si sekretar Shteti, ka raportuar e përditshmja amerikane, New York Times.

Gazeta ka cituar tre njerëz, të cilët kanë thënë se vendimi nuk është final, mirëpo Trump duket i vendosur për Rubion, një besnik i Trumpit, të cilin ai nuk e ka marrë me vete në tiketën presidenciale.

Emri i Rubios është përmendur vazhdimisht në javën e fundit, si njëri prej personave në krye të diplomacisë amerikane në administratën e ardhshme.

Edhe emri i Richard Grenellit – i dërguar i Trumpit për Ballkanin në administratën e kaluar – është përmendur për këtë pozitë.

Nëse emërohet, Rubio do të bëhet arkitekti kryesor i vizionit të Trumpit, “Amerika e Para”, dhe do të çojë përpara synimet e Trumpit për dhënie fund të luftërave në Ukrainë dhe Lindje të Mesme.

Senatori tjetër nga Florida, Rick Scott, e ka uruar Rubion përmes një mesazhi në platformat sociale, duke thënë se “ai do të ringjallë udhëheqësinë amerikane në botë, sidomos në Amerikën Latine, pasi ai i përfaqëson Shtetet e Bashkuara dhe dinjitet dhe guxim”.

Nominimi i Rubios, kongresist me prejardhje nga Kuba, do të përbente kthesë në marrëdhëniet me Trumpin.

Më 2016, kur ata kanë qenë duke garuar për të fituar nominimin e republikanëve në zgjedhjet presidenciale, Rubio e ka quajtur Trumpin “mashtrues” dhe “njeriun më vulgar që ka synuar të jetë ndonjëherë president”.

Trump e ka tallur atë si “Marco i vogël”, si dhe për djersitje dhe vendosje të grimit gjatë prezantimeve televizive.

Trump i ka fituar bindshëm zgjedhjet e 5 nëntorit, ndërsa do ta marrë zyrtarisht pozitën në janar të vitit tjetër./REL

Shpërndaje në: