PDK: Drenasi, Vushtrria dhe Hani i Elezit – kampione për transparencë buxhetore
Instituti GAP ka publikuar raportin “Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave 2023”.
Nga gjithsej 100 pikë të vlerësimit, 20 komuna kaluan mesataren e pikëve, ndërsa katër komuna arritën maksimumin prej 100 pikëve, siç janë Drenasi, Hani i Elezit, Lipjani dhe Vushtrria.
Lidhur me këtë raport, Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se tri nga këto katër komuna udhëhiqen nga kjo parti.
“Tri komuna të udhëhequra prej kryetarëve nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës: Komuna e Drenasit, Komuna e Vushtrrisë dhe Komuna e Hanit të Elezit kanë arritur maksimumin prej 100 pikëve në Indeksin e Transparencës Buxhetore për vitin 2023, raport i përvitshëm i Institutit GAP që synon të rrisë llogaridhënien dhe qasjen e qytetarëve në informacionet buxhetore në nivel lokal”, thuhet në reagimin e këtij subjekti politik.
Tutje, PDK ka përgëzuar kryetarët Ramiz Lladrovci, Ferit Idrizi dhe Mehmet Ballazhi për punën e mirë, përkushtimin dhe angazhimin në ndërtimin e besimit te qytetarët.
“Këto komuna janë pasuar nga Komuna e Ferizajt që është vlerësuar me 95 pikë, si dhe ajo e Kaçanikut me 94 sosh, të cilat po ashtu janë ranguar lartë në këtë raport. Për shkaqe teknike, Komuna e Mitrovicës, e Prizrenit dhe e Skenderajt nuk kanë qenë pjesë e gjetjeve të këtij raporti”, thuhet tutje në njoftimin e PDK-së.
“Ky është modeli qeverisës i PDK-së: transformues, zhvillimor dhe gjithëpërfshirës, i cili i duhet Kosovës edhe në nivelin qendror”.