Zv.kryeministri i RMV zbulon si u kërcënua me jetë: Më erdhi e-mail

Zv.kryeministri i RMV zbulon si u kërcënua me jetë: Më erdhi e-mail

Arben Fetai zëvendës kryeministri shqiptar në Maqedoninë e Veriut ishte këtë të hënë në një lidhje direkte për Euronews Albania ku ka folur më tepër rreth një kërcënimi të bërë disa ditë më parë kundër tij.

Zëvendëskryeministri tha se në adresën zyrtare të e-mailit të tij një person i paidentifikuar i kishte shkruar se do të kujdesej që Fetai “të merrte një plumb në kokë”.

Sipas Fetait ky kërcënim lidhet me një deklaratë të tij se do të adresojë çështjen e definimit të gjuhës shqipe në Kushtetutën e vendit.

“Të mërkurën e kaluar unë dhashë një deklaratë. U pyeta nga gazetarët për çështjen kushtetuese si dhe me çështjen e definimit të gjuhës shqipe e cila sot e kësaj dite rezulton të jetë gjuha që flitet më së paku 20% e popullatës dhe që është e ndryshme nga Maqedonishtja. Ne jemi zotuar se në rastin e parë do bëjmë ndryshimet e nevojshme kushtetuese, në kuadër të procesit tonë integrues. Unë thash se do adresojmë edhe çështjen e definimit të gjuhës shqipe në Kushtetutën e vendit. Ka mjaftuar kjo deklaratë që po të njëjtën ditë në e-mailin tim zyrtar të vijë një e-mail kërcënues ku autori, kërcënuesi, në mënyrë ashiqare thotë se do kujdeset që unë të marr një plumb në kokë. Ai bën cilësime të tjera ku thotë se 20% nuk do hiqet asnjëherë nga Kushtetuta. Më pas vazhdon me ato thirrjet tribale që i kemi parë për dy dekada me radhë e ndoshta e më tepër të llojit, “Shqiptari i mirë, është shqiptar i vdekur”. Këto thirrje janë bërë vazhdimisht në Maqedoninë e veriut në publik”,-tha ai.

Zëvendëskryeministri shtoi se rastin e ka paraqitur në organet kompetente, ndërsa theksoi se shpreson që autori të gjendet sa më shpejt e të marr dënimin e merituar, pasi fakti që një Kryeministër kërcënohet tregon se sa e lehtë është që njerëz të thjesht të preken po ashtu nga kërcënime të tilla raciste dhe anti-shqiptare.

“Këtë rast unë e paraqita menjëherë në organet e rendit. Më mori në telefon menjëherë ministri i brendshëm dhe ka filluar procedura në kuadër të drejtorisë për krim kibernetik në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe institucionet janë duke bërë punën e tyre që kërcënuesi të identifikohet. unë dua që të shikojmë këtu një dënim shembullor. Me ligjet tona këto kërcënime me jetë, gjuha e urrejtjes si kjo, dënohen me burg në periudhë nga 6 muaj deri në 5 vite”,-tha Fetai.

Shpërndaje në: