Kurti sulmon sërish Kushtetuesen: Më shpesh bën bilanc politik, sesa ndan drejtësi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës deklaroi se Gjykata Kushtetuese bëri dëm edhe në Ligjin për pagat minimale e edhe në atë për çmimin tavan.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë prezantimit të buxhetit të vitit 2025 ka sulmuar sërish Gjykatën Kushtetuese duke thënë se më shumë bën bilanc politik sesa që ndan drejtësi.
Kurti, gjatë fjalimit të tij në seancën e Kuvendit të Kosovës para deputetëve ka përmendur Ligjin për çmimin tavan që u rrëzua nga Kushtetuesja si dhe Ligjin për paga minimale.
“Kjo gjykatë, që më shpesh bën bilanc politik sesa ndan drejtësi, na rrëzoi njërin ligj — atë për çmimin tavan — ndërsa e miratoi tjetrin, atë për pagën minimale. Dëm, gjithsesi. Për të parin, sepse nuk hyri kurrë në fuqi, dhe për të dytin, sepse zbatimi i tij u vonua për një vit,” ka deklaruar Kurti.
Ndërsa, është lavdëruar me buxhetin që kanë projektuar për vitin 2025.
“Sa më i madh të jetë buxheti i shtetit çdo vit, aq më herët prezantohet ai në Kuvend. Karakteristika të tjera të buxhetit 2025 janë si vijon: buxheti për paga dhe shtesa është 13.5 për qind më i lartë se në vitin 2024, buxheti për mallra dhe shërbime është 3.2 për qind më i lartë, ndërsa buxheti për subvencione dhe transfere është 8.75 për qind më i lartë. Këtu përfshihen edhe masa të reja, si pensionet, shtesat për fëmijë dhe rimëkëmbja ekonomike”.
Sipas tij, bruti produkti vendor është rritur afërsisht shtatë herë më shumë se në vitin 2000 dhe tri herë më shumë sesa në vitin 2008.
Në këto vite të qeverisjes, bruto produkti vendor është rritur, aq sa sivjet për herë të parë do të kalojë shifrën prej 10 miliardë eurosh, ndërsa nga viti i ardhshëm pritet të arrijë mbi 11 miliardë euro. Sivjet, bruto produkti vendor është afërsisht shtatë herë më i lartë se në vitin 2000, viti i parë pas çlirimit; afërsisht tre herë më i lartë se në vitin 2008, viti i shpalljes së pavarësisë dhe gati 50 për qind më i lartë se në vitin 2019, viti i fundit para pandemisë”, shtoi ai. /albanianpost/