”Buxheti 2025” – Opozita kundër, VV me shpresa se kalon

”Buxheti 2025” – Opozita kundër, VV me shpresa se kalon

Projektligji për buxhetin e vitit 2025 pritet të shqyrtohet në parim sot në seancën e Kuvendit të Kosovës. Në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, thonë se mazhoranca në Kuvend i ka votat e mjaftueshme për miratimin e buxhetit në lexim të parë.

Në anën tjetër, partitë opozitare shprehen kundër këtij buxheti, pasi që sipas tyre nuk është zhvillimor dhe nuk i përmbush nevojat dhe kërkesat e qytetarëve.

Më 4 nëntor, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit opozitarët nga PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja kanë paralajmëruar se nuk do ta votojnë projektbuxhetin e Kosovës për vitin e ardhshëm që është parashikuar të jetë 3.6 miliardë euro.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, pas mbledhje së Kyresisë së Kuvendit tha se nuk do ta votojnë buxhetin për vitin 2025, raporton Periskopi.

Gashi tha se Qeveria Kurti ka bërë shkelje ligjore.

”Nuk e votojmë buxhetin. Do t’i japim vërejtjet tona. Ky buxhet i ka dy probleme. E para ka të bëjë me ndërhyrjen e buxhetit në ligjin për Pagat në sektorin publik. Ndërsa e dyta është që tentojnë me bë këta është me ligjin për tatimin në pronën e paluajtshme. Po ashtu e njëjta vlen sepse në ligjin specifik ndërhyhet me një ligj të karakterit të përkohshëm. Të dyja janë shkelje ligjore dhe i ka aprovu gabim dhe Kurti po mundohet me i ndryshu me një ligj të përkohshëm dhe është ndërhyrje skandaloze”, tha Gashi.

Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri në Facebook ka shkruar se ‘’buxhetet e miratuara ndër vite nga qeveria aktuale, nuk kanë lënë kurrfarë gjurme, as në zhvillim, as në mirëqenie as në ekonomi’’.

”Sot në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit u caktua që ditën e hënë me 11 nëntor, të sillet për miratim buxheti për vitin 2025. Buxhetet e miratuara ndër vite nga qeveria aktuale, nuk kanë lënë kurrfarë gjurme, as në zhvillim, as në mirëqenie as në ekonomi. Duke qenë plotësisht të bindur se Kosova mundet më mirë, ne nuk do ta votojmë këtë buxhet. Shpresën, mirëqenien dhe angazhimin për ta bërë më mirë Kosovën, do ta reflektojë në buxhetin për vitin e ardhshëm, Qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e shkurtit, me kryeministër Bedri Hamzën”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Edhe Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se buxheti i vitit të ardhshëm e konfirmon mbytjen e zhvillimit ekonomik.

“Buxheti i kësaj qeverie është buxheti i cili e konfirmon mbytjen e zhvillimit ekonomik. Është buxhet i cili ja ka varros shpresën 80 mijë njerëzve që punojnë në shtet, është buxhet që nga ne do të kundërshtohet fuqishme dhe është buxhet që duhet të rishikohet në mars të vitit te ardhshëm. Nuk ka mundësi ky ligj as të përmirësohet më. Për tu përmirësuar duhet së paku të ndodhen nga 50 amandamentime që do të rregullonin prej pagave e deri te çështjet më minore. Ne nuk e votojmë këtë buxhet”, ka deklaruar Tahiri.

Por, nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se e kanë shumicën parlamentare për ta votuar buxhetin e Republikës për vitin e ardhshëm.

Shefja e Grupit Parlamentar të VV’së, Mimoza Kusari- Lila, ka thënë se “nuk është asgjë e re” që opozita, të paktën LDK dhe AAK, kanë thënë se nuk do ta votojnë projektbuxhetin për vitin 2025.

Ajo tha se i kanë votat për ta miratuar projektbuxhetin.

“Në fakt nëse e shikoni paternin e partive të opozitës në asnjë nga të gjitha miratimet që kanë ndodhur në këtë legjislaturë, dhe ky është i katërti me radhë, opozita nuk ka marrë pjesë. Ne e kemi shumicën parlamentare siç e keni parë edhe javën e kaluar në votimet e thjeshta arrijmë të miratojmë ligje dhe vendime të tjera, ndërsa për opozitën s’kam çka të them, kanë përcaktuar dhe vendosur në një rrugë tjetër. Është çështje e vendimmarrjes së tyre”, tha ajo.

Qeveria e Kosovës më 30 tetor ka miratuar projektbuxhetin për vitin e ardhshëm në vlerë 3 miliardë e 600 milionë euro apo rreth 300 milionë euro më i madh se në vitin 2024.

Me këtë projeksion, për investime kapitale janë planifikuar 930 milionë euro.

Ndërsa, 916.5 milionë euro pritet të shkojnë për paga, duke përfshirë një rritje prej 55 euro për çdo punonjës të sektorit publik nga janari, ndërsa 110 euro nga korriku.

Po ashtu 105 milionë euro shkojnë për barna esenciale dhe materiale të nevojshme shëndetësore./PERISKOPI/

Shpërndaje në: