Prokuroria jep detaje për vdekjen e zyrtarit të FSK-së: Dyshohet se viktima ka rënë nga kati i 11-të i ndërtesës
Një burrë ka humbur jetën derisa po punonte në një objekt banesor në rrugën “Gucia” në Prishtinë, dje, më 09.11.2024, rreth orës 16:00.
Lidhur me këtë e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh.
“Rr. Gucia, Prishtinë 09.11.2024-16:30.Raportohet se viktima mashkull kosovar ka qenë duke punuar në një objekt banesor. Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitet përkatëse, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion”, thuhet në raportin e Policisë.
Lidhur me rastin tragjik ka reaguar edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila ka njoftuar se i ndjeri ishte zyrtar civil në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së.
“Njoftojmë të gjithë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, se pas një aksidenti tragjik ka ndërruar jetë ish ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Trupave të Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, Liman Musliu, nga jeta ndahet në poziten zyrtar civil në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës”- thuhet në njoftimin e FSK-së të lëshuar sot, më 10.11.2024.
Për rastin detaje ka dhënë edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Sipas zëdhënësit të Prokurorisë së Prishtinës, Skender Govori, viktima dyshohet se derisa ishte duke punuar ka rënë nga kati i 11-të i ndërtesës.
Govori ka konfirmuar se pas marrjes së informacionit, prokurori kujdestar dhe ai i Krimeve të Rënda, së bashku me hetuesit policorë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e trajtuar rastin e vdekjes së viktimës.
“Dyshohet se një punëtor ka rënë prej katit të 11-të. Prokurori kujdestar dhe ai i Krimeve të Rënda kanë dalë në vendin e ngjarjes, prokurori e ka dhënë urdhrin për autopsi dhe ka urdhëruar që viktima të dërgohet në IML dhe i kanë ndërmarrë të gjitha veprimet se bashku me zyrtarët policorë në vendin e ngjarjes”- ka thënë Govori.