Opozita, pushteti dhe qytetarët
Shkruan: Ismail Tasholli
Erdhëm në një situatë ku nga përcaktimet politike ndërtohen marrëdhëniet edhe mrena FAMILJES. Sabahu na çelet i idhët ose i hareshëm, varësisht se çfarë ju teket politikanëve të na thonë në mramje, duke harru faktin kryesor se pushtetet janë të vdekshme, KALIMTARE – nëse kemi jetë, do të presim dhe përcjellim shumë të tjerë.
I vnumë syzat që shohin vetëm ato bojna që duam, dhe morëm pjesë në polarizimin e shoqnisë nën kushtet e pushtetit, sepse atyre i leverdiste të ketë servilë të narrativës që kurrë nuk i vnojnë në pyetje tregimet, dhe kundërshtarë “të sertë” për t’legjitimu hilet.
Nëse i besojmë frazave reduktuese, slogani “ti bëhesh ajo që lexon” përmbledh skizofreninë kolektive (kryesisht për fajin e pushtetit aktual), sepse PUBLIKJA është ndërtu me shumë rrena, sharje dhe zhurmë, vetëm për të mirëmbajt pushtetin dhe për të PËRSHKLLI kufijtë mes fakteve dhe iluzioneve.
E bëmë politikën METRIN e vetëm të matjes së çdo situate dhe të çdo njeri. Dofar junkie-ra t’lodht politikë që edhe teoritë kuantike i lidhim me fjalimet e liderëve.
U kriju një retorikë konfliktuale, që e ndante shoqninë në “ne” kundër “atyre,” duke forcu NDASITË, ndërkohë që humbte theksi te dialogu ndër vete dhe zgjidhja e problemeve reale për shoqninë.
Në pyetjen se si duhet të sillet OPOZITA përballë kësaj çmendie dhe polarizimi, ka shumë rregulla që duhen ndjek – për të mos fol përmensh pa mend. Është një pluralizëm metodologjik për sa i përket përgjigjeve.
Më duket se një vit më parë në një debat televiziv ku merrja pjesë, u tha nga një opozitar se 51% e qytetarëve janë të mashtrum. E ndërpreva folësin duke i thanë: nëse mendoni kështu si opozitë, bëni dy gabime të mëdha: një moral dhe një strategjik.
Moralisht gabim, sepse i ofendoni një pjesë t’madhe të qytetarët duke u sugjeru se nuk kanë inteligjencë politike dhe se janë ba budallë. Ata që e kanë – atë inteligjencë – e kanë si trashëgimi të përpjekjeve për mbijetesë. Dhe kjo situatë u ka zhvillu disa ndjesi racionale siç u pa në zgjedhjet e fundit komunale, ku qytetarët i thanë liderit të madh se emri i tij është i pamjaftueshëm si garancë për progreset në komunat ku jetojnë.
Gjithashtu, po injoroni mesazhin që ua ka dhanë ai 51%: që nuk dëshiron të pajtohet me disa fenomene tuajat që i keni ndërtu që nga paslufta, pikë. Mos të bahemi sikur nuk jemi prej KTUSHI.
Gabimi strategjik është ky: ju duhet t’i bindni edhe këta 51% që t’kenë pyetje kritike, eventualisht disa të votojnë për ju dhe të ndryshojnë këtë pushtet, sepse votues nga planeti Mars nuk mund t’bini. Me këta do t’folni, këta do t’i bindni, por jo duke i ofendu sepse do t’ua ndrrojnë kanalin. Pllus, nuk mund ta mundni kundërshtarin në shah duke përdor stilin e tij që sapo ju mundi – ai e njeh mirë atë stil.
A do të dalim nga kjo RRËMUJË KOLEKTIVE në zgjedhjet që po vijnë, a do të arrijë opozita të ndërrojë vendin me pushtetin? Nuk e di. Por, e rëndësishme është që ta shmangim polarizimin, sepse është si një vrimë e zezë që po na merr gjithë energjinë dhe potencialin shoqnor, pa prodhu asgjë tjetër përveç dëshirës së pushtetit që t’na fusë brenda habitatit të tyre, ku profesorët e pushtetit “bajnë sens.”