Trumpi fitoi 500 milionë dollarë me një postim të vetëm në rrjetin e tij social
Rrjeti social i presidentit të sapozgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka përjetuar rënie të vlerës së aksioneve, pak ditë pasi ai i fitoi zgjedhjet presidenciale. Megjithatë, me një postim të vetëm në “Truth Social”, Trumpi arriti të këndellte aksionet dhe i fitoi gjysmë miliardi dollarë.
Të premten, aksionet në tregje pësuan rënie. “Truth Social” përjetoi rënie prej 42 për qind që nga kulmi i arritur të premten. Tregtarët zakonisht blejnë aksione kur priten lajme pozitive për atë kompani – dhe kur kjo ndodhë, ata i shesin sapo të kenë fitim të kënaqshëm.
Por më pas, të premten gjithçka u përmbys. Kur aksionet nisën të bien, Trumpi u aktivizua me një postim, shkruan CNN.
“Gjithçka është e rreme, dhe me gjasë spekulime të bëra nga manipulatorët e tregjeve që thonë se jam i interesuar të shes aksionet në ‘Truth’. Krejt këto spekulime janë rrena. Nuk kam plan t’i shes”, ka shkruar ai.
Nuk zgjati shumë. Aksionet u rritën për 15 për qind. Trumpi është aksionari më i madh në kompani dhe 114.75 milionë aksionet e tij tani kanë vlerë rreth 3.7 miliardë dollarë, nga 3.2 sa ishin në mëngjesin e së premtes.
Rrjeti social i Trumpit është shumë më i vogël në krahasim me gjigantët teknologjikë si “X”, “TikTok” dhe “Instagram”. “Truthi” ka fituar vetëm një milionë dollarë në tremujorin e fundit.
Pasi që Trumpi fitoi zgjedhjet në SHBA, janë ngritur shqetësime për shkelje etike nëse ai do ta shfrytëzojë rrjetin social si president për përfitime personale.