Keqpërdorimi i ambasadave për fushatë nga Kurti e Gërvalla, Arifi: Diplomacia e Kosovës po përjeton goditje që armiqtë nuk kanë mundur t’i japin
Jo të pakta kanë qenë rastet kohëve të fundit kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz po i shfrytëzojnë për fushatën e tyre elektorale Ambasadat e Republikës së Kosovës nëpër botë. Sipas raportimeve të fundit në media duket se amabasadat janë kthyer në zyre të partisë së VV’së, shkruan Periskopi.
Lidhur me këtë ngjarje Periskopi ka kontaktuar me ish-kryenegociatorin e Kosovës në dialogun me Serbinë, Avni Arifi.
Arifi i ka thënë Periskopit se diplomatët janë zëvendësuar me njerëz të pakualifikuar që nuk kanë lidhje me diplomaci dhe se ambasadat po i shërbejnë sigurimit të votës për Albin Kurtin.
“Ambasadat dhe Konsullatat në vendet ku ka koncentrim të diasporës tonë nuk janë më në shërbim të Kosovës por janë në shërbim të sigurimit të votës nga diaspora për Albin Kurtin dhe drejtohen prej komiteteve të VV’së. Janë zëvendësuar diplomatët me njerëz të pakualifikuar që nuk flasin as anglisht as gjermanisht dhe asnjë lidhje me diplomaci nuk kanë.” – u shpreh ai për Periskopin.
Arifi tha se diplomacia e Kosovës po përjeton goditje që as armiqtë e saj nuk kanë mundur t’i japin.
“…Diplomacia e Kosovës e ndërtuar me aq mund me dekada po përjeton goditje çfarë as armiqtë e Kosovës nuk kanë mundur të i japin. Populli i Kosovës e posaçërishtë ajo pjesë që jeton në diasporë duhet të kuptojnë se duke i shërbyer Kurtit dhe komiteteve të tij nuk janë në shërbim të Kosovës as të ardhmes se saj.” – tha ai.
Në media mbrëmë u raportua se Ambasada e Kosovës në Norvegji ka bërë një njoftim për një takim të Kurtit dhe zëvendëses së tij në Norvegji.
“Kemi kënaqësinë të ju ftojmë të merrni pjesë në një takim të veçantë me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, dhe Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla Schwarz.”– thuhej në njoftim.
Një gjë e tillë del të jetë në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.
Në bazë të LIGJI NR. 03/L-073 PËR ZGJEDHJET E PËRGJITHSHME NË REPUBLIKËN E KOSOVËS të publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës NENI 36.
Çdo person që mbanë pozitë publike, i zgjedhur apo i caktuar, nuk mund të përdorë atë zyrë ose ndonjë nga pasuritë e saj me qëllim të përfitimit të votave.
Kujtojmë se pëveç ambasadës së Norvegjisë Kurti e Gërvalla ditë më parë ka vënë në dispozicion të tubimeve elektorale edhe ambasadën e Austrisë./ ALBINA ZARIQI-PERISKOPI