Treni cak i sulmeve me gurë – zëdhënësi i “Trainkos” thotë se po ballafaqohen vazhdimisht me rreziqe
Treni i linjës Prishtinë-Pejë, më 3 nëntor është sulmuar me gurë nga disa persona të panjohur.
“Është raportuar se nga disa persona të dyshuar të panjohur është gjuajtur me gurë trenin që lëvizte nga Prishtina në Pejë dhe si pasojë është thyer një xham. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Një rast i tillë kishte ndodhur edhe gjatë muajit tetor.
Ndërsa më 15 shtator ishin hedhur gurë janë mbi trasenë hekurudhore në linjën Prishtinë-Pejë, në dalje të stacionit Cerrovikë.
Pamja e këtyre vagonëve lë përshtypjen se gjenden në vatra të luftës, ndërkohë që këta vagonë sipas TrainKos Sh.A kanë ardhur në vitin 2017 të rifabrikuar me një kosto prej 1.2 milion eurosh.
Zëdhënësi i ndërmarrjen hekurudhore, Trainkos Sh.A, Behxhet Haziri ka thënë se këto incidente kanë për qëllim të dëmtojnë imazhin, sigurinë e udhëtarëve dhe integritetin e shërbimeve të “Trainkos Sh.A”.
“Ndërmarrja publike Trainkos Sh.A. po ballafaqohet vazhdimisht me aktivitete të rrezikshme që kanë për qëllim të dëmtojnë imazhin, sigurinë e udhëtarëve dhe integritetin e shërbimeve tona. Incidenti i fundit eshte prap më 03.11.2024 në segmentin hekurudhor Prishtinë-Pejë, ku një grup të rinjsh gjuajtën me gurë trenin 761. Ky akt i dhunshëm është një dëshmi e qartë se ne, si ndërmarrje dhe si qytetarë që përdorim këtë transport, jemi në rrezik”, ka thënë Haziri.
Ai tutje për rtv21.tv ka thënë se edhe pse ka pasur sulme nuk ka ndonjë pasagjer të lënduar.
Për këto incidente të një pasnjëshme, organit e rendit janë të njoftuara dhe po merren me këtë çështje.
Deri më tani nuk ka persona të arrestuar.