Kërkohet një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit që iu gjetën 10 kilogramë drogë në shtëpi
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej një muaji ndaj të dyshuarit E.T., për shkak të dyshimit të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri E.T., në shtëpinë e tij në fshatin Bërnicë e Poshtme, me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ka poseduar 10 kilogramë e 851 gramë substancë narkotike e llojit marihuanë, e cila më 06 nëntor 2024, gjatë kontrollit të shtëpisë dhe objekteve përcjellëse sipas Urdhëresës së Gjykatës, të njëjtit iu është gjetur dhe sekuestruar, me çka kreu veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
I pandehuri që nga data 06 Nëntor 2024, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartëcekur.