130 kafshime nga qentë endacakë për 10 muaj, zgjidhja s’duket afër

130 kafshime nga qentë endacakë për 10 muaj, zgjidhja s’duket afër

Përkundër premtimeve e investimeve miliona euro tash e disa vjet për eliminimin e qenve endacakë, ata vazhdojnë të paraqesin problem për qytetarët. Në hapësirat publike, në të cilat qarkullojnë mijëra persona brenda ditës, qentë endacakë vazhdojnë të ndjellin frikë tek qytetarët. Këta të fundit ankohen për sulmet nga qentë, derisa planet për largimin e tyre, duket se nuk po kanë edhe aq sukses. E Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve thekson rëndësinë e rritjes së numrit të inspektorëve veterinarë dhe kritikon autoritetet lokale për menaxhimin e dobët të situatës me këtë lloj të kafshës.

Vetëm nga janari deri në fillim të muajit tetor, rreth 130 qytetarë kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Emergjente pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) nga kafshimi i qenve endacakë.

Qytetari Xhemajl Dakaj derisa tregon rastin se si i janë vërsulur qentë, potencon se nuk është realizuar premtimi për largimin e tyre.

“Kanë qenë 4-5 qen endacakë dhe trotuarit duk ec edhe unë në të njëjtën anë të trotuarit isha kur i pashë ata, e lakova rrugën dola në anën tjetër. Kur i kalova më janë sulur. Pikonte shi e kisha ombrellën dhe me të i prita, por njëri më kishte dalë mbrapa dhe më kapi në këmbë. Por, për fat nuk shkoi në thellësi në muskuj, por vetëm një gërvishtje që doli gjak. Shkova mora injeksione kundër helmimit… Përparim Rama, ky pikë të parë në fushatën parazgjedhore e ka dhënë këtë premtim për qentë endacakë, më kujtohet shumë mirë. Nuk ka bërë asgjë. Normalisht që duhet të hiqen”, thotë Dakaj.

Enver Neziri thotë se shpeshherë has në grumbullin e qenve endacakë.

“Shko shiko te qeveria janë pesë a gjashtë qen duke fjetur… [A keni qenë ndonjëherë të rrezikuar prej qenve?] Po, kam qenë po i kam trembur, i kam ndjekur. Atë që frikësohet e kapin më shumë… Kam pasur rrezik shumë herë… T’i dërgojnë diku nëpër fshatra, t’i strehojnë diku, ose nëpër qendra. Në shkollë të shkosh ka qen, te xhamia ka qen, gjithkund”, thotë Neziri.

Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla në një prononcim për KosovaPress potencon se numri i sulmeve nga qentë ka shënuar rritje krahasuar me vitin e kaluar. Ai shton se një numër i konsiderueshëm i rasteve që janë kafshuar nga qentë pa pronar, janë staf shëndetësor.

“Është rritur numri, kohëve të fundit është rritur shumë i pacientëve që kanë kërkuar trajtim këtu tek ne nga sulmi apo kafshimi prej qenve. Deri javën e kaluar që i kemi nxjerrë statistikat janë evidentuar 127 raste prej 1 janarit deri në javën e fundit. Statistikat e fundit janë nxjerrë të premten e kaluar (11 tetor). Por, për fat të mirë, prej këtyre 127 këtë vit, vetëm një ka përfunduar në spital për trajtim më të gjatë. Kurse të tjerët të gjithë janë trajtuar këtu tek ne në qendrën emergjente dhe kanë shkuar në shtëpi pas terapisë së marrë… Vitin e kaluar kanë qenë 86 raste. Një numër i madh (i të sulmuarve nga qentë) kanë qenë profesionistë shëndetësorë edhe vitin e kaluar ka pasur profesionistë shëndetësorë”, tregon Syla.

E në kryeqytet shumë shpejt pritet të funksionalizohet qendra për strehimin e qenve pa pronar.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci zotohet se deri në mars të viti 2025 do të largohen deri në 1 mijë e 500 qen pa strehim nga kryeqyteti.

Ndërsa, në kohën kur ekipi i KosovaPress-it vizitoi qendrën në Hajvali javën e kaluar, aty ndodheshin vetëm katër qen.

“Sipas dinamikës që ne e kemi krijuar, po pretendojmë t’i kapim mes 40 dhe 50 qen brenda javës deri në funksionalizmin e qendrës tonë të strehimit. Më pastaj këtë dinamikë do e rrisim sepse tanimë, është i njohur premtimi im publik që deri në fund të muajit mars të vitit të ardhshëm, të bëjmë largimin e 1300 deri 1500 qenve endacakë nga hapësirat publike. Të njëjtit do të trajtohen, por besojmë që shumica e tyre edhe do të kalojnë në adaptim…Qendra për strehim është e ndarë në dy faza. Faza e parë besoj që maksimalisht edhe dy javë funksionalizohen”, tregon Brestovci.

Ndërkaq, lidhur me raportimet për sulmet nga qentë në QKUK, Brestovci premton se vullnetarisht do t’i largojnë qentë nga aty, porse thekson se nuk është përgjegjësi e komunës.

“Për hapësirat brenda Qendrës së Klinikës Universitare, Komuna e Prishtinës nuk është përgjegjëse për sigurinë brenda për brenda atij lokacioni… Jemi zotuar që deri në fund të këtij muaji, më së largu deri në përfundim të javës së parë muajit nëntor t’i largojmë të gjithë qentë nga QKUK. Po i dalim ndihmë edhe atyre”, shton Brestovci.

Ai tregon se deri më tani janë adaptuar rreth 300 qen.

Udhëheqësja e Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve, Elza Ramadani thotë se komunat shpenzojnë mijëra euro për zgjidhjen e problemit me qentë endacakë, porse projektet e tyre janë afatshkurtra.

“Komunat bëjnë disa projekte shumë afatshkurtra dhe të pamenduara për një afat më të gjatë. Strategjia kombëtare për menaxhimin dhe kontrollin e qenve me dhe pa pronar që është aprovuar në tetor të vitit 2022 e parasheh pikërisht këtë, që të ndërmerret një masë më gjithëpërfshirëse. Deri më tani komunat ku ne si organizatë gjithmonë i kemi kritikuar, ka pasur të bëjë me mungesën e monitorimeve të projekteve. Është bërë kastrimi, sterilizimi me 50 mijë euro, 100 mijë euro ka edhe komuna që kanë shpenzuar 300 mijë euro për qentë endacak . Dhe prapë nuk e kanë asnjë të dhënë si duhet, nuk e dinë se çfarë ndikimi ose çfarë rezultati ka sjellur ai projekt për komunitetin aty”, potencon Ramadani.

Përveç këtyre, Ramadani thekson se duhet bërë më shumë inspektime në këtë drejtim dhe se sipas saj duhet shqiptuar dënime për ata që i braktisin qentë.

“Niveli qendror ka nevojë që t’i rrisë inspektorët veterinarë. Të bëjë inspektime më shumë, t’i mbyllë petshopet ilegale, të kontrollojë mbarështimin e qenve, importin e qenve prej vendeve fqinje, identifikimin dhe regjistrimin. Të bëjnë dënime dhe ndëshkime për ata që braktisin dhe shumë aspekte të tjera”, shprehet Ramdani.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takimin e fundit me kryetarët e komunave të Kosovës deklaroi se si qeveri janë të gatshëm të bashkëfinancojnë për ndërtimin e qendrave të strehimit për qentë endacakë. Ai kërkoi nga komunat që të bëjnë analizimin e hapësirave dhe të caktojnë vendin se ku duhet ndërtuar ato.

Shpërndaje në: