Gërvalla “ikë” në vizitë zyrtare jashtë vendit: Dështon seanca në rastin ku akuzohet për mosdeklarim të pasurisë
Për shkak se Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zëvendëskryeministre gjendet në vizitë zyrtare jashtë vendit, ka dështuar të mbahet seanca e së enjtes ndaj saj në Gjykatën Themelore në Prishtinë.Ministrja Gërvalla ngarkohet se në cilësinë e zyrtares së lartë publike, në formularin për deklarim të pasurisë më 22 mars 2021, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara me ligj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mbrojtësi i të akuzuarës Gërvalla, avokati Arianit Koci, e ka njoftuar gjykatësin Dibran Jusufi se e akuzuara Gërvalla nuk ka mundur të jetë prezente në këtë seancë për shkak të një vizite zyrtare jashtë vendit.Po ashtu, i njëjti ka kërkuar që seanca të caktohet për një datë tjetër, atëherë edhe e akuzuara Gërvalla do të jetë prezente.
Lidhur me këtë, prokurori Paulin Pashku, ka thënë se sipas Kodit të Procedurës Penale ka mundësi ligjore që të vazhdojë shqyrtimi gjyqësor në mungesë të të pandehurës, por që nëse e pandehura do të paraqitet në seancën tjetër, atëherë nuk e kundërshton propozimin e avokatit Koci.Më pas, gjykatësi Jusufi konstatoi se në mungesë të të akuzuarës Gërvalla nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e kësaj seance.
Ndryshe, MPJD-ja ka njoftuar se Gërvalla do të marrë pjesë në Forumin e Lartë për të Ardhmen e Demokracisë, që do të mbahet më 7 dhe 8 nëntor 2024 në Vilnius, Lituani, me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Lituanisë, Gabrielius Landsbergis.Gjykata Themelore në Prishtinës më 19 qershor 2024 kishte konfirmuar aktakuzën për mosraportim të pasurisë ndaj Gërvallës, duke refuzuar kërkesën për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës.
Më pas, Gjykata e Apelit, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtjes së Gërvallës, duke vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin ishte konfirmuar aktakuza ndaj saj.Lidhur me akuzën për mosraportim të saktë të pasurisë, në seancën fillestare më 7 mars 2024, Gërvalla ishte deklaruar e pafajshme.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të përpiluar më 31 janar 2023 nga prokurori Astrit Gashi, Gërvalla ngarkohet se në cilësinë e zyrtares së lartë publike me obligim ligjor të deklarimit të pasurisë, në formularin për deklarim të pasurisë më 22 mars 2021, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara me ligj.Aktakuza thotë se e njëjta në këtë formular nuk ka deklaruar asnjë të hyrë-të ardhur të bashkëshortit të saj Stefan Schwarz edhe përkundër se të njëjtin e ka deklaruar si bashkëshort.
Tutje, në akuzë thuhet se Gërvalla nuk ka deklaruar në tërësi parcelën kadastrale-toka bujqësore në pronësi të saj në sipërfaqe prej 3964 m2 në ZK Dubovik-Komuna e Deçanit, duke e deklaruar vetëm sipërfaqe prej 2000 m2.Po ashtu, Gërvalla sipas akuzës thuhet se nuk ka deklaruar as biznesin “Alb Lingua UG” e regjistruar në Bon të Gjermanisë në emër të saj.
Me këto veprime, Gërvalla akuzohet se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penale të Republikës së Kosovës.Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 maj 2023 kishte konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se ka ngritur aktakuzë ndaj Gërvallës.
“Referuar kërkesës së parashtruar nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit, më 31.01.2023, ka ngritur aktakuzë ndaj D.G., për shkak të veprës penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe të njëjtën e ka proceduar në Gjykatë për trajtim të mëtejmë”, kishte konfirmuar zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.Pasi u bë i ditur lajmi për ngritjen e aktakuzës, ministrja Gërvalla përmes një postimi në Facebook, tha se është përpjekje për të hedhur baltë mbi përfaqësuesit e institucioneve.
Ndryshe, më 2 tetor 2021, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se Donika Gërvalla, zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD), nuk ka deklaruar të gjitha funksionet në institucione vendore e ndërkombëtare.Katër muaj pas këtij hulumtimi, Agjencia Kundër Korrupsion (AKK), tani Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), kishte njoftuar se është ende duke trajtuar rastin e ministres Gërvalla.
Sipas këtij hulumtimi, rezultoi se Gërvalla nuk ka deklaruar se posedon biznes në Gjermani, nuk ka treguar se është drejtoreshë e një fondacioni në Kosovë dhe as nuk ka deklaruar pasurinë e burrit dhe fëmijëve të saj.