Deputeti i GUXO: Deklaratat e ministres Gërvalla për presidentin Trump dhe Grenellin të papjekura dhe të panevojshme
Donald Trump është presidenti i 47-të i Amerikës. Zgjedhja e tij në krye të SHBA-së, ka marr jehonë botërore, por fokus të madh ka pasur edhe në Kosovë.
Ky është mandati i dytë i Trumpit në krye të Shtëpisë së Bardhë, pasi që për herë të parë president i SHBA-ve kishte shërbyer gjatë viteve 2016-2020, për t’ia liruar pozitën më pas pozitën presidentit aktual Joe Biden gjatë katër viteve të fundit.
Presidenti Trump dhe bashkëpunëtorët e tij, përkatësisht Richard Grenell, jo rrallëherë janë kritikuar për politikat e tyre karshi Kosovës nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla dhe deputetë e militantë të lëvizjes “Vetëvendosje”.
Kurti, madje kishte përmendur edhe ‘’thikat’’ pasi që sipas tij, ato ishin bërë gati për ta ‘’prerë’’ hartën e Kosovës.
“Marrëveshja është e gatshme ku këta me thika mbi hartën e Kosovës kanë qëndruar për dy vjet e tash mua duan të më ftojnë t’i bashkohem tavolinës për kërcitjen e tapës së shampanjës, unë nuk e bëj këtë“, kishte thënë Kurti në një emision televiziv.
Derisa Kurti e kishte quajtur ish-emisarin Richard Grenell si emisar që po mbante anën e Serbisë, zëvendësja e tij, Donika Gërvalla, ishte edhe më ashpër sa për Trump sa për Grenellin, duke thënë se këta të dy asnjëherë nuk janë interesuar për fatin e Kosovës.
E deklaratat e tilla po konsiderohen te papjekura e të panevojshme edhe nga deputetët e Listës Guxo, por edhe të “Vetëvendosjes”.
Nga subjekti politik ‘Lista Guxo”, e cila është në koalicion me Lëvizjen ‘Vetëvendosje’ kanë kritikuar deklaratat e ministres së Jashtme, Donika Gërvalla.
Deputeti Burim Meta i ka quajtur si deklarata të papjekura dhe të panevojshme.
Sipas tij, qëndrimet e tilla si të Gërvallës tregojnë mos aftësinë në politikën e jashtme dhe vendore.
“Një deklaratë e tillë është e papjekur dhe e panevojshme dhe shpërfaq mos zotësinë dhe mosaftësinë në politika jo vetëm vendore, por edhe ndërkombëtare”, u shpreh Meta.
Deputeti Meta thotë çdo herë ka pasur përkrahje nga Amerika për Kosovën, pavarësisht kush ka qenë në pushtet.
“Kemi pasur përkrahje çdo herë edhe republikanët kur kanë qenë në pushtet dhe kanë përkrahur pa rezervë. Trumpin e uroj për këtë pozitë të merituar dhe presim përkrahjen e zhvillimit dhe stabilitetit të Kosovës”, deklaroi Meta për frontonline.
Deputeti i ‘Vetëvendosjes’: Kushdo që ka deklaruar publikisht për Trumpin dhe Grenellin mbanë përgjegjësi
Deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Salih Zyba duke mos dëshiruar t’i komentoj deklaratat e Gërvallës thotë se përgjegjësi mbanë çdo kush që ka dhënë deklarata publike.
“Proces i mirë dhe demokratik dhe si rezultat i qytetarëve të SHBA. Kushdo që ka deklaru publikisht mbanë përgjegjësi”, tha Zyba.
Deputeti Zyba vlerëson se politika e Kosovës karshi SHBA-së varen edhe nga përfaqësimet që do jenë.
“Nuk kamë dilema në politikën e SHBA në raport me Kosovën, por varet gjithçka varet edhe nga qëndrimi i atyre dhe jo dëshirave të tona”.
Deputeti Thaçi: Grenell e ka kuptuar gabimin e tij që kishte në raport me Qeverinë e Kosovës
Halil Thaçi, deputet i partisë në pushtet(Vetëvendosjes) deklaron se Richard Grenell e ka kuptuar gabimin e tij për inatin personal që kishte me Qeverinë e Kosovës.
“Mund të ketë gabime të zyrtarëve amerikan që kanë bënë ndërhyrje në punët që nuk ju takojnë siç ishte ajo me Grenell që kishte inat personal me qeverinë e atëhershme. Grenell e ka pa gabimin e tij që e ka bërë me qeverinë e atëhershme”, u shpreh Thaçi.
Thaçi thotë se pavarësisht kush e fitoi garën në zgjedhjet e SHBA është mik i Kosovës.
“Kryemiku i Kosovës është Amerika. Jemi mirënjohës popullit amerikan për ndihmën e tyre para luftës gjatë dhe pas, pavarësisht kush e fituar garën është mik i yni”, thotë Thaçi.
Deputeti Thaçi tha se propaganda e Serbisë filloi direkt pas përfundimit të zgjedhjeve në SHBA, anipse shteti serb i dinë raportet mes Amerikës dhe Kosovës.
“Propaganda e Serbisë kundër Kosovës filloi sot karshi Trump, u panë disa foto se gjoja duke e uruar Trump. Ata e dinë mirë se çfarë raporti ka Amerika karshi Kosovës”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka uruar presidentin e ri të SHBA, Donald Trump për fitoren.
“Urime President Donald Trump për fitoren tuaj elektorale. SHBA-ja është një aleat, mik dhe partner kyç i Kosovës dhe ne mezi presim të punojmë së bashku për përparim dhe paqe”, shkruan Kurti.
Donald Trump ka garuar kundër demokrates, Kamala Harris, aktualisht nënpresidente amerikane, në zgjedhjet 5 nëntorit.
Trump ka fituar në shumicën e atyre që njihen si shtete të papërcaktuara, duke siguruar 277 vota të Kolegjit Elektoral.
Një kandidat duhet të fitojë të paktën 270 vota për t’u shpallur fitues.
Vetë Trump, u është drejtuar mbështetësve nga Florida gjatë ditës së djeshme, dhe është zotuar se do të punojë për ta “shëruar” SHBA-në.