Mediat amerikane: Jack Smith po nxiton për t’i mbyllur rastet penale ndaj Trump para se ta marrë detyrën
Prokurori Jack Smith është në bisedime me udhëheqësinë e lartë në Departamentin e Drejtësisë për të vlerësuar mënyrat sesi ai mund të përfundojë ndjekjet penale ndaj Presidentit të zgjedhur Donald Trump, kanë thënë burime të njohura për ABC News, transmeton Gazeta Express.
Vendimi bazohet në politikën e kahershme të Departamentit të Drejtësisë, sipas së cilës një president në detyrë nuk mund të përballet me ndjekje penale gjatë kohës që është në zyrë, thanë burimet.
“Ende nuk është e qartë se si do të qasen prokurorët e Smith për të pushuar çështjen e manipulimit të zgjedhjeve federale në Washington, D.C., dhe apelimin e tyre të vazhdueshëm kundër vendimit të gjyqtares Aileen Cannon për të hedhur poshtë çështjen e dokumenteve të klasifikuara”, thuhet në lajmin e publikuar në ABC News.
Jack Smith më parë ishte kryeprokuror i Gjykatës Speciale, ku po gjykohet ish-krerët e UÇK-së. Pastaj mori detyrën e hetimit ndaj Donald Trump për një mori akuzash.
Kujtojmë se Trump pati deklaruar se do të shkarkonte Këshilltarin Special të Departamentit të Drejtësisë (DOJ), Jack Smith, menjëherë nëse ai zgjidhej për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë.