Kurti ende nuk e uroj Trumpin: A është në ankth siç deklaronte?
Derisa ende nuk është finalizuar numërimi i votave në ShBA, Donald Trump ka shpallur fitoren e tij. Trump mori urime nga shumë lider botëror, me përjashtim të kryeministrit Albin Kurti i cili ende nuk ka dalur me një reagim në rrjetet e tij sociale. Kur jemi te Kurti, kryeministri i Kosovës në maj të këtij viti nuk e priste fort mirë rikthimin e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë. Periskopi ju sjell detaje se çka kishte deklaruar Kurti në maj të këtij viti…
Kryeministri Albin Kurti i cili kishte pasur përplasje në vazhdimësi me ish-të dërguarin e Donald Trump, Richard Grenell, në maj të këtij viti kishte deklaruar se rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë i mbush liderët evropianë me “stres dhe ankth”.
“Potenciali në rritje i kthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë i mbush liderët evropianë me “stres dhe ankth”, kryesisht për shkak të prirjes së ish-presidentit amerikan për ndryshime të egra dhe të papritura të politikave”, kishte deklaruar kryeministri i Kosovës në një intervistë për uebfaqen e lajmeve “Semafor”.
Përplasjet Kurti-Grenell
Kryeminsitri Kurti kishte hedhur akuza ndaj ish-emisarit të ShBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell se “po ia mban anën Serbisë”.
“Emisari amerikan Grenell nuk është në mes të Kosovës dhe Beogradit, është në pozicionin e Beogradit. Ai është në pozicionin e Beogradit në raport me heqjen e taksës dhe mos vendosjes së reciprocitetit”, kishte thënë Kurti në emisionin Jeta në Kosovë.
Ndërsa gjatë një interviste për “The Guardian”, në atë kohë Kurti ishte kryeministër në detyrë e akuzonte Grenellin për “ndërhyrje në punë të brendshme”.
Kujtojmë se presidentja e vendit Vjosa Osmani dhe liderë të partive opozitare në Kosovë kanë uruar Donald Trump për fitoren, por nga VV-ja e Kurtit ende nuk ka ndonjë reagim deri më tani.