Zgjedhjet në ShBA, Bislimi: Ndryshim mund të ketë në çasje, por jo në përkrahjen e SHBA-ve për Kosovën
Sot po mbahen zgjedhjet presidenciale në ShBA, të cilat janë duke u përcjell me një interesim të madh. Se si do të ndikojnë këto zgjedhje në marrëdhëniet Kosovë-ShBA për Periskopin ka folur Faton Bislimi që aktualisht jeton e vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Bislimi tha se cilido kandidat që fiton, Kosova pa ShBA-të e ka të vështirë ecjen drejt rrugëve euroatlantike, duke shtuar se pas këtyre zgjedhjeve mund të ndryshojë vetëm çasja ndaj shtetit tonë, por jo përkrahja.
“Po, ndryshim mund te ketë në çasje por jo në përkrahjen e SHBA-ve për Kosovën. Ne ketë përkrahje e kemi pasë historikisht nga të dyja taborret dhe këtë do e vazhdojmë ngase burimi i përkrahjes sonë nga SHBA ka qene Kongresi i SHBA dhe fokusi ynë tutje duhet të jetë pikërisht aty, në Kongresin amerikan”, tha Bislimi.
“Për Kosovën, marrëdhenjet me SHBA nuk kanë alternativë–ato duhet të jenë miqësore dhe permanente. Kosova pa SHBA-të e ka shumë të vështirë ecjen tutje drejt sforcimit të republikës dhe arritjes së vendit meritor në familjen e madhe euroatlantike. Andaj, edhe nëse kemi dallime në qendrime, ato nuk duhet assesi të lejojmë që të behen hendek mes SHBA dhe Kosovës. Ky është interes yni strategjik dhe shtetëror”, ka thënë Bisilimi për Periskopin.
Sipas Bislimit gjasat më të mëdha që t’i fitoj këto zgjedhje janë për Kamala Harris.
“Ajo që do ndodhë sonte në SHBA do të jetë historike cilido qoftë rezultati. E them ketë ngase qoftë nëse fiton Harris apo Trump, historia po shkruhet sonte në SHBA. Fitorja e Harris shënon historinë ngase ajo do bëhej zonja e parë Presidente e SHBA-ve dhe po ashtu, nëse Trump fiton, ai do bëhej i pari në historinë moderne të SHBA, pra historinë e pas-shekullit 20, që do të fitonte dy mandate jo të njëpasnjëshme (i pari që arriti ketë në krejt historinë e Amerikës ishte Presidenti Cleveland në fund të viteve 1880). Unë pres një garë të ngushtë por vlerësoj se shancat më të mëdha i ka znj. Harris”, shtoi ai.