Gjykimi ndaj ish-gardianit Milosavleviq, Nait Hasani tregon si i ndihmoi të plagosurit në burgun e Dubravës
Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin për krime lufte ndaj Gavrilo Milosavleviq, ish-deputeti Nait Hasani në cilësinë e dëshmitarit derisa rrëfeu për ditën kur ndodhi masakra e Dubravës, tha se kur gardianët kanë gjuajtur me armë dhe bomba, ai dhe të burgosur tjerë, kanë mbledhur të plagosurit në fushën e sportit.
Në këtë rast, Gavrilo Milosavleviq në cilësinë e gardianit në burgun e Dubravës po akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Ne një grup kemi qëndur në Pavionin C dhe kemi mbledhë të plagosurit që ishin në fushën e sportit, ndërsa ata që vdisinin për shkak të lëndimeve, i grumbullojshim para Pavionit C dhe i mbulonim me batanije. Ndërsa, disa shokë me dushk kanë shkru fjalën anglisht “HELP” dhe e kanë gjuajtur në breg te fusha e sporteve, që avionet e NATOS-s ta shohin që ne po kërkojmë ndihmë”, deklaroi Hasani.
Hasani, i mbijetuar i masakrës së Dubravës, tregoi se ai dhe shokët e tij çmalleshin me familjarët përmes fotove të tyre kur menduan se ato ishin momentet e fundit të jetës së tyre.
“Disa shokë që kishin fotografitë e familjeve të tyre i hapën fotografitë, i shihnin familjet, i shikonin fëmijët, gratë, nënat dhe hiqnin mallin për herën e fundit”, shtoi Hasani.
Gjithashtu, dëshmitari tregoi se si gardianët i dërguan të mbijetuarit në sallën e sportit, ku gjendeshin gardianët me armë, e që aty menduan që do të pushkatoheshin.
“Jemi përshendetë njëri me tjetrin dhe i kemi thënë njëri-tjetrit që ky është momenti i fundit, jemi përqafu, e kena kërku hallallin që themi ne dhe kemi thënë që të paktën në sallë që po na çojnë atje, do të na pushkatojnë, të paktën mos të shkojmë, mos të dorëzohemi në atë formë, të thërrasim “Rroftë Kosova Republikë” edhe para vdekjes”, tha Hasani.
Po ashtu, gjatë kësaj seance u dëgjua edhe dëshmitari Ukë Thaçi, i cili tregoi që në ditën kur ka ndodhur maskara, duke tentuar të ikte, i kishte mbetur këmba nën trupat e të vrarëve.
“Fillojshin grantat, ulërimat e 900 njerëzve dhe tash kur u çu pluhuri i madh, m’u çu sa është pluni me gjet shpëtim dhe m’u kishin ngatërru këmba mbi ata që kishin ra mbi mu dhe du me nxjerrë kambën. Këpuca më ka mbet nër njerëzë dhe jam çu me shku me gjet vend për shpëtim. Kur na ka thirrë ditën m’u nis jom shku me i gjet valixhet e mia dhe ata njerëz që kishin qenë mbi mua kishin qenë të vrarë”, deklaroi Thaçi.
Ai tutje tregoi po ashtu momentin kur ishin të radhitur në fushën e sportit se si të njëjtit ishin gjuajtur me trumbola dhe zolla në masë e të burgosurve.
Gjithashtu, dëshmitari tregoi se ka botuar libër, në të cilin janë vendosur emrat e të vrarëve, të plagosurve si dhe personelit të burgut, ku po ashtu është edhe emri i të akuzuarit Milosavleviq.
“Unë kam botuar dy libra me titull “Maskra në burgun e Dubravës” (skenaret e masarës) dhe emri i tij është numër 169”, tha Thaçi.
Sipas aktakuzës së ngritur më 29 nëntor 2023, thuhet se Gavrilo Milosavlevq në cilësi të zyrtarit në Burgun e Dubravës në bashkëkryerje me persona të tjerë kishte aplikuar masa represive të vrasjes, rrahjes, maltretimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzor ndaj të burgosurve civil shqiptarë.
Gjithnjë sipas aktakuzës në bashkëkryerje me njësit policore serbe Milosavleviq kishin kryer vrasjen masive të të burgosurve shqiptarë me ç’rast në ditën e incidentit kishin urdhëruar që në oborrin e burgut të dalin 1 mijë të burgosur të vendi i quajtur “Fusha e Sportit”, me pretekstin se do t’i numëronin të burgosurit dhe do t’i dërgonin në ndonjë vend tjetër më të sigurt për t’i mbrojtur të burgosurit nga bombardimet e NATO-s.
Tutje në aktakuzë thuhet se menjëherë pas rreshtimit të të burgosurve ushtarakët serbë kishin gjuajtur në drejtim të të burgosurve me mitraloz, mortajë dhe armë të tjera dhe se ky operacion i vrasjes i cili kishte filluar nga 22 maj 1999 dhe kishte zgjatur deri më 24 maj 1999, ku si rezultat i këtyre sulmeve kishin mbetur të vrarë 109 të burgosur.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Milosavleviq në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë ushtarak serbë kishin shkuar thuajse çdo ditë nëpër pavijonet e Burgut të Dubravës, konkretisht në pavionin “B” dhe “C”, duke i rrahur në mënyrë mizorë dhe çnjerëzorë të burgosurit civil shqiptare.
Në aktakuzë përmend se si disa roje kishin shkuar edhe në qelinë ku ishte i vendosur edhe Ukshin Hoti, Gani Baliu, Skender Gashi, Mehmet Memqaj, dhe Shkelqim Zllanoga ku të njëjtëve u kishin fikur dritat fillimisht dhe pastaj ju kishin drejtuar me fjalët Ukshin Hotit “ Profesor sherri juaj po na ndodhin bombardimet e NATO-s”, duke e ofenduar dhe sharë gjatë gjithë kohës, sa që në një moment thuhet se roje kishin kapur për fyti Shkelqim Zllanogën ku thuajse ja kishin ndalur frymëmarrje.
Për këto veprime i akuzuari Milosavleviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsi civile”. e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (tutje ” LP i RSFJ-së “) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.