Lladrovci thotë se kontrata kolektive e dëmton Drenasin me mbi 7 milionë euro
Udhëheqësit e komunës së Drenasit dhe asaj të Skenderajt kanë hedhur akuza në adresë të Qeverisë Kurti duke e quajtur të papërvojë e të korruptuar.
Shkak për pakënaqësitë e kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci si dhe nënkryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku është bërë sidomos kontrata kolektive.
Mbi 7 milionë euro janë dëmet vetëm të Komunës së Drenasit të shkaktuara nga kontrata kolektive.
Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Lladrovci ka thënë se si shkak i kontratës kolektive ka dorëzuar padi ndaj dy ministrave të Qeverisë Kurti. Ndërsa vetëm këtë vit dëmi nga kjo kontratë, ai tha se është 3 milionë euro.
Javë më parë, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, bëri të ditur se ka bërë padi ndaj dy ministrave të shëndetësisë dhe të arsimit për dëmet e kontratave kolektive.
Lladrovci për Ekonomia Online tha se ka paguar një çmim të madh të kontratave kolektive, ku deri në këtë moment janë marrë 3 milionë e 89 mijë.
Tutje, ai tha se qeveria e ka për obligim t’i sistemojë pagat.
“Komuna e Drenasit ndër vite ka paguar një çmim të madh të kontratave kolektive. Vetëm këtë vit, deri në këtë moment 3 milionë e 89 mijë na i kanë marrë. E keqja është se ne po mbesim, po na i marrin ashtu ku më së shumti po na dhemb në investime kapitale. Nuk rrezikojmë ne sepse tashmë jemi në muajin e 11-të dhe muaji i 12-të, e ka obligim për pagat qeveria që t’i sistemoj. Më 13 shtator e kemi mbajt një mbledhje të jashtëzakonshme të të hyrave vetanake, ku i kemi alokuar, i kemi marrë vendimet, i kemi dërguar në qeveri. Dhe qeveria na e ka kthyer pas 28 ditëve që i bie të premten, kur më nuk mundemi që t’i alokojmë ato mjete dhe që ato për t’u krijuar mundësia që të na llogariten që ne nuk e kemi shpenzuar buxhetin pastaj, kështu që na e ka kthyer, por nuk na vyejnë veç ishalla i merr kontrata kolektive”, ka thënë ai.
Ai tregoi për shumën e përgjithshme që ka paguar për pagën kolektive.
“Shuma e përgjithshme është mbi 7 milionë sepse përmendësh nuk e di me saktësi, por mbi 7 milionë euro”.
Lladrovci po ashtu theksoi edhe rastin e komunave tjera. Sipas tij komunat e tjera nuk kanë faj pasi qeveria ka lidhur memorandum me sindikatat dhe se qeveria është dashur t’i jap mjetet e jo t’ua merr komunave të tjera, veprim të cilin, ai e quan të padrejtë.
“Komunat tjera nuk kanë faj sepse qeveria ka lidhur memorandum me sindikatat dhe qeveria është dashur që t’i jap mjetet e jo t’ua merr komunave padrejtësisht. Unë e kam paditur Ministrinë e Shëndetësisë, si dhe Ministrinë e Arsimit dhe pres që në gjykatë të fitojë sepse shkaku i kontratave kolektive unë e kam humbur edhe garën për grand të performancës që i kam humbur tre milionë euro për 2023-ën”, ka theksuar ai.
Ndër të tjera, Lladrovci foli edhe për Qeverinë Kurti duke hedhur kritika si një qeveri, sipas tij e papërvojë dhe e korruptuar.
“Qeveri e pa përvojë, qeveri e korruptuar, qeveri pa xhipa të bardhë, por krejt me xhipa të zinj”, u shpreh Lladrovci.
Po ashtu edhe ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Zonën e Drenicës dhe nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku , tha për qeverinë Kurti se gjithçka mund të jetë, por vetëm qeverisje jo.
“Gjithçka mund të jetë po Qeverisje jo, dmth që pesë vite qeverisje nuk e ka asnjë projekt që duhet me u mburr një qeveri, pastaj kjo (qeveria) duhet me ik sa më shpejt prej Kosovës”, tha Lushtaku.