Gratë vuajnë nga migrena tri herë më shpesh se burrat, këto janë arsyet

Gratë vuajnë nga migrena tri herë më shpesh se burrat, këto janë arsyet

Migrena nuk është një dhimbje koke e zakonshme. Këto sulme të rënda, që mund të zgjasin me orë ose ditë, shpesh i izolojnë njerëzit në dhoma të errëta dhe të qeta. Për miliona gra, migrena është një problem i përsëritur, që ndikon në cilësinë e jetës së tyre.

Sipas statistikave, gratë vuajnë nga migrena tri herë më shpesh se burrat, dhe sulmet e tyre janë më të gjata dhe më intensive. Anne MacGregor, një specialiste për dhimbjet e kokës, thekson se hormonet luajnë një rol të rëndësishëm në këtë dallim gjinor, shkruan Piedmont healthcare.

Gjatë pubertetit, vajzat fillojnë të përjetojnë migrenë më shpesh, dhe ky fenomen është i lidhur me ndryshimet hormonale, veçanërisht rënien e estradiolit, një formë e estrogjenit.

Shumë gra përjetojnë migrenë të lidhur me ciklin menstrual, veçanërisht para menstruacioneve kur nivelet e estradiolit bien. Ky fenomen mund të ndikojë gjithashtu tek gratë gjatë perimenopauzës, ku luhatjet hormonale rrisin shanset për sulme migrene. Ndërsa disa gra përjetojnë lehtësim pas menopauzës, për të tjera, migrena mbetet një sfidë e vazhdueshme.

Ekspertët theksojnë se trajtimi dhe monitorimi i migrenës duhet të marrin parasysh faktorët hormonalë, duke përfshirë periudhat e jetës ku hormonet luajnë një rol kyç.

Shpërndaje në: