Javën e ardhshme vazhdon gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi do të gjykohen edhe gjatë javës së ardhshme, nga Gjykata Speciale në Hagë.
Pikërisht të martën e 5 nëntorit bëhen 4 vjet prej kur ish-krerët e UÇK-së janë arrestuar me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Deri më tani janë deklaruar afro 100 dëshmitarë, disa në mënyrë publike e të tjerë në formë sekrete.
Seancat do të vijojnë nga e hëna, deri të enjten.
Dje, ZPS-ja bëri të ditur se në rastin “Thaçi dhe të tjerët” i ka larguar 12 dëshmitarë.
Sipas njoftimit, ZPS-ja tha se nuk do të mbështetet më në dëshmitë e 12 dëshmitarëve, e gjithashtu do t’i paraqesë deklaratat e tetë dëshmitarëve me shkrim.
“Siç ishte bërë e ditur gjatë konferencës për ecurinë e çështjes më 1 tetor, për të cilën informuam këtu, ZPS-ja njoftoi sot, më 1 nëntor, se nuk do të mbështetet më në dëshmitë e dymbëdhjetë dëshmitarëve. Gjithashtu, ZPS-ja do t’i paraqesë deklaratat e tetë dëshmitarëve me shkrim në vend të dëshmive të drejtpërdrejta në gjykatë”, thuhet në njoftimin e publikuar dje.