Dëshmitari pretendon se nuk ka dijeni për punën e të akuzuarit në AKI

Dëshmitari pretendon se nuk ka dijeni për punën e të akuzuarit në AKI

Dëshmitari Agim Krasniqi (djali i axhës së të akuzuarit Muhamet Krasniqit) gjatë dëshmisë së dhënë para trupit gjykues tha se asnjëherë mes vete nuk kanë biseduar për punët që i njëjti ka bërë në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI).

“Jo as ai as unë dhe nuk me ka tregu asgjë”, tha Agim Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht lidhur me mungesën e tij për të dëshmuar dëshmitari Krasniqi deklaroi se ka qenë jashtë shtetit dhe se më mundësinë e parë është paraqitur për të dhënë dëshminë e tij në gjykimin ndaj Krasniqi.

Krasniqi tha se të akuzuarin Muhamet Krasniqi e ka djalë të axhës dhe se asnjëherë nuk ka biseduar me të rreth punëve që bëjnë të dytë.

I njëjti në pyetjen e mbrojtësit të akuzuarit, Muhamet Krasniqi, avokatit Fanol Krasniqi, Agim Krasniqi tha se është marrë me shitblerje të veturave gjatë vitit 2022 dhe 2021 dhe krejt kjo për të siguruar mbijetesën.

I njëjti në pyetjen e anëtares së trupit gjykues, gjykatëses, Fatime Dermaku tha se ka dalë edhe jashtë shtetit brenda kësaj periudhe por se nuk ka blerë makina nga jashtë shtetit të Kosovës për t’i shitur ato brenda Kosovës.

I njëjti pohoi se shitblerjen e veturave e kishte bërë përmes aplikacionit “MerrJep”dhe se vlera e tyre nuk ka kaluar shumë prej njëmijë euro.

Po ashtu, i njëjti deklaroi se nuk e di se për çka është  ftuar për të dhënë dëshmi në gjykimin ndaj Muhamet Krasniqit.

Seanca vijoi më mbrojtjen e të akuzuarit Krasniqi i cili deklaroi se dëshiron të mbrohet në heshtje.

“Jam konsultuar më mbrojtësit dhe dua te mbrohen në heshtje”, tha i akuzuari Krasniqi.

Më pas trupi gjykues aprovoi propozimin e mbrojtësve të akuzuarit Krasniqi, avokatëve Fanol Krasniqi dhe Florent Latifaj që pajisjet e sekuestruara të dërgohen për ekspertizë në Agjencinë Forenzike të Kosovës (AKI) prej datës së suspendimit të akuzuarit Krasniqi nga puna e deri në përpilimin e ekspertizës së parë të bërë nga Policia e Kosovës për këto pajisje.

Seanca u ndërpre për të vijuar gjatë muajit janar.

Ndryshe seanca e 4 korrikut 2023 kishte dështuar të mbahej pasi që nuk ishte siguruar prezenca e dëshmitarit Krasniqi për çka gjykatësi Foniqi kishte njoftuar se janë bërë përpjekje ta sigurojnë të njëjtin por se nuk ishte përgjigjur.

Shpërndaje në: